Rregulli 60/60: Si të mbroni dëgjimin nga përdorimi i kufjeve
Kufjet janë bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme – nga muzika në palestër, podkastet gjatë ecjes, deri te relaksimi në shtëpi. Megjithatë, specialistët paralajmërojnë se përdorimi i pakontrolluar i tyre mund të shkaktojë dëmtime të përhershme në dëgjim.
Një studim i realizuar nga Ofcom në vitin 2015 tregoi se një i rritur mesatar kalon 8 orë e 41 minuta në ditë duke konsumuar media ose duke komunikuar në mënyrë digjitale, më shumë sesa koha mesatare e gjumit prej 8 orë e 21 minutash. Ky nivel ekspozimi ndaj pajisjeve audio mund të ndikojë negativisht në shëndetin e veshëve.
Mjekja otorinolaringologe Anna Mateo nga Vall d’Hebron University Hospital këshillon zbatimin e rregullit 60/60: kufjet nuk duhet të përdoren më shumë se 60 minuta rresht dhe volumi nuk duhet të kalojë 60% të kapacitetit maksimal. Mosrespektimi i këtij rregulli mund të çojë në trauma akustike.
Sipas organizatës Action on Hearing Loss, ekspozimi ndaj tingujve mbi 89 decibel për më shumë se pesë orë në javë rrit ndjeshëm rrezikun për humbje të përhershme të dëgjimit ose për shfaqjen e tringëllimës në veshë (tinnitus).
Ekspertët theksojnë se edhe lloji i kufjeve ka rëndësi. Mateo rekomandon përdorimin e kufjeve mbi vesh (over-ear), të cilat janë më pak irrituese krahasuar me modelet që futen brenda kanalit të veshit. Në rastin e kufjeve të vogla (earbuds), këshillohet të mos ndahen me persona të tjerë për të shmangur infeksionet, si dhe të pastrohen e të mbahen të thata pas çdo përdorimi.
Ndërkohë, në anën tjetër të tregut, teknologjia po ndërthuret me luksin. Gjiganti gjerman Loewe dhe argjendari amerikan Jacob & Co. kanë prezantuar një seri të kufizuar kufjesh të zbukuruara me diamant.
Modeli “Ice Diamond” është punuar nga ar i bardhë 14 karatësh dhe përmban 456 diamantë, ndërsa modeli “Noir Rainbow” përfshin afro 16 karatë safirë shumëngjyrësh të vendosur në ar rozë 14 karatësh, duke e kthyer pajisjen audio në një aksesor luksi të nivelit të lartë.
Flaka
















