21 Shkurt – Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare – Identiteti i shqiptarëve

Flaka
Botuar nga Flaka 22 Shkurt, 2026 00:33

21 Shkurt – Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare – Identiteti i shqiptarëve

Memedali Jusufi

Në historinë moderne të publicistikës shqiptare, një nga temat më të diskutueshme padyshim ka qenë debati rreth identitetit shqiptar. Eqrem Qabej shkroi veprën “Shqiptarët në mes Lindjes dhe Perëndimit”. Kjo ese, e përmbledhur mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe e shkruar gati 70 vjet më parë, konsiderohet ende sot si një tekst themelor për kuptimin dhe shpjegimin e historisë dhe mentalitetit shqiptar.

Në kapituj të shkurtër, por intensive, që trajtojnë elemente të ndryshme që influencojnë formimin e karakterit të një populli dhe kulturës së tij, autori përshkruan karakteristikat gjeografike të vendit, diskuton origjinën e emrit të popullit, forcat centrifuge në karakterin shqiptar dhe ndikimet e huaja – me fjalë të tjera, çdo gjë që e bën Shqipërinë një udhëkryq mes Lindjes dhe Perëndimit.

Shkrimi i Rexhep Qoses, eseja e tij “Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare”, mund të vlerësohet si një krijim publicistik që ka nxitur një ndër debatet më interesante në hapësirën publike shqiptare. Një ndër këto debate të njohura është ai Qosje – Kadare. Karakteristikë e veçantë e këtij debati është mënyra e ndryshme e interpretimit dhe të kuptuarit të identitetit të popullit shqiptar, nisur nga perspektiva fetare, historike, filozofike dhe kulturore.

Në shkrimin e lartpërmendur, Qosja përshkruan shqiptarët si një popull që i përket tri feve, dhe se pikërisht ky fenomen e bën identitetin e tyre kombëtar “më të pasur” dhe “më të përbërë”. Përkundër pohimeve të disa intelektualëve se shqiptarët i takojnë vetëm qytetërimit perëndimor, Qosja shpreh një skepticizëm të madh. Si argument, ai përmend faktin se “shqiptarët nuk do të përjetonin ndarjen në katër shtete po t’u njihej e drejta e jetës në një shtet”. Më tej, ai thekson se “shqiptarët, në të vërtetë, i takojnë dy qytetërimeve: qytetërimit perëndimor dhe qytetërimit lindor”.

Kjo tezë nxiti një reagim nga Ismail Kadare, i cili në sprovën e tij “Identiteti evropian i shqiptarëve” shprehet se populli shqiptar nuk ka “identitet gjysmak”, por atë evropian. Debati Kadare-Qosja u zhvillua në vitet 2006-2007 dhe shumë shpejt u përfshinë intelektualë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.

Shumë studiues mendojnë se debatet rreth identitetit shqiptar janë shumë të dobishme. Ndër ta, Aurel Plasari shprehet se debatet e tilla janë të nevojshme për çdo komb dhe për çdo kohë. Jo vetëm që nuk ka gjë të keqe në to, por është një fat për një kulturë që në një debat të tillë të ketë qëndrime të ndryshme, qoftë edhe të kundërta ose të skajshme. Që debatuesit mund të mos e kuptojnë këtë fat të kulturës, mbetet problem i tyre dhe i dy taborëve që pozicionohen pas tyre.

Grindjet e vazhdueshme ndër vite, të pasqyruara në shtyp si debate të dy akademikëve ose diskutime të dy kolosëve shqiptarë, janë një pasqyrë e qartë e asaj që i ka munguar dhe i mungon Shqipërisë dhe shqiptarëve – një identitet i plotë i popullsisë shqiptare, e ndarë sot në disa shtete, e ndarë në dy religjione kryesore, e ndarë në tradita dhe botëkuptime, por që i bashkon bashkëjetesa fetare dhe, mbi të gjitha, gjuha shumë e lashtë shqipe.

Sigurisht, debati i Kadaresë dhe Qoses ka qenë mes dy njerëzve tejet autoritarë në mendimin shqiptar, dhe që duhet dëgjuar si të tillë. Nga ky pozicion, mund të themi se ata sjellin detaje të rëndësishme profesionale dhe historike, për të cilat mund të ndahen mendimet. Në një nga tekstet e debatit, Kadareja përmend përparësinë e katolicizmit për shqiptarët si “më i vjetër” se ortodoksizmi. Në këtë kontekst, ai ka pasur parasysh konceptet historike të katolicizmit dhe ortodoksizmit në rrafshin diakronik.

Nga ana tjetër, Qosja shprehej për të drejtën dhe lirinë që çdo bashkësi besimtarësh shqiptar të veprojë sipas traditës së vet: muslimanët në Mekë, katolikët në Romë dhe ortodoksët në Stamboll. Ai kritikon ashpër Kadarenë, duke e akuzuar se nxit idenë që shqiptarët të ndërrojnë fe. “Mos do të thotë kjo se feja që ka një përqindje më e madhe e shqiptarëve është më e mirë se tjetra?”, pyet Qosja, dhe më pas sfidon qëndrimet e shkrimtarit.

Argumentet e Prof. Qoses, që komentojnë frazat e Ismail Kadaresë, pasqyrojnë shqetësimin e sotëm për shumë probleme sociale, politike dhe, sigurisht, për çështjen kryesore – identitetin kombëtar.

11
SONDAZHI

Cili është vlerësimi juaj për punën e Gjykatës Kushtetuese? 

Flaka
Botuar nga Flaka 22 Shkurt, 2026 00:33
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
11
SONDAZHI

Cili është vlerësimi juaj për punën e Gjykatës Kushtetuese? 

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?