Danimarka shkon në zgjedhje të parakohshme më 24 mars
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 24 mars, disa muaj para afatit të rregullt kushtetues. Vendimi vjen në një klimë të tensionuar politike, pas përplasjeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me çështjen e Groenlandas.
Qytetarët do të zgjedhin 179 deputetët e parlamentit danez, Folketing. Nga këto, 175 mandate u përkasin zonave zgjedhore në Danimarkë, ndërsa katër vende ndahen për përfaqësuesit e Groenlandës dhe të Ishujt Faroeve, territore autonome të Mbretërisë së Danimarkës.
“Nga ju varet drejtimi që do të marrë Danimarka në katër vitet e ardhshme”, deklaroi Frederiksen para deputetëve gjatë shpalljes së datës së zgjedhjeve.
Sipas ligjit danez, zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen të paktën çdo katër vjet, por kryeministri ka të drejtë t’i shpallë ato në çdo moment. Zgjedhjet e fundit u zhvilluan në nëntor 2022, duke prodhuar një koalicion trepartiak që bashkoi forca nga e majta dhe e djathta.
Frederiksen, e cila është në pushtet që nga viti 2019, aktualisht drejton një qeveri koalicioni me Partinë Liberale, të udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen, dhe Partinë e Moderuar të qendrës, të drejtuar nga ministri i Jashtëm Lars Løkke Rasmussen.
Zgjedhjet e 24 marsit pritet të përcaktojnë drejtimin politik të vendit në një periudhë sfidash të brendshme dhe tensioni në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Flaka
















