Reuters: Shkarkimi i Ballukut mes akuzave për korrupsion dhe presionit për reforma
Shkarkimi i Belinda Ballukut nga kryeministri Edi Rama ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, me agjencinë prestigjioze Reuters që e ka trajtuar gjerësisht zhvillimin politik në Tiranë.
Sipas raportimit të Reuters, Balluku u shkarkua ndërsa përballet me akuza për abuzime me tenderat publikë. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ngritur aktakuzë ndaj saj në muajin dhjetor, nën dyshimin se ka ndërhyrë në dhënien e dy kontratave ndërtimi në vitin 2021, me vlerë mbi 200 milionë euro.
Parlamenti pritet të vendosë më 5 mars nëse do të votojë për heqjen e imunitetit të Ballukut, çka do t’i hapte rrugë SPAK-ut për procedura të mëtejshme ligjore ndaj saj.
Riorganizim qeveritar dhe reagime politike
Kryeministri Rama, i cili drejton vendin që nga viti 2013, nuk dha arsye konkrete për shkarkimin, duke e përfshirë atë në kuadër të një riorganizimi më të gjerë të kabinetit qeveritar, ku u prekën shtatë poste ministrore, përfshirë edhe ministritë e Mbrojtjes dhe të Jashtme.
Zëdhënësja e qeverisë, Manjola Hasa, deklaroi për Reuters se Rama kishte paralajmëruar që në fillim të mandatit për mundësinë e riorganizimeve të shpeshta dhe se gjatë katër muajve të fundit kishte refuzuar tri herë dorëheqjen e Ballukut.
Ndërkohë, opozita ka organizuar protesta pas marrjes së saj si e pandehur, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit. Gjatë disa tubimeve janë shënuar incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Presioni i BE-së për reforma
Shqipëria, e cila synon anëtarësimin në Bashkimi Evropian deri në vitin 2030, përballet me presion të vazhdueshëm nga Brukseli për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Zyrtarë të BE-së kanë theksuar se progresi konkret në trajtimin e çështjeve të korrupsionit mbetet një nga kushtet kyçe për avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit.
Zhvillimet e ardhshme në Parlament dhe veprimet e SPAK-ut pritet të jenë vendimtare për ecurinë politike dhe institucionale në vend. Gazeta Flaka
















