Çfarë kuptuam dhe dëgjuam për herë të parë nga intervista e Arben Taravarit?
Shkrim nga Nafie Selmani
Çfarë kuptuam dhe dëgjuam për herë të parë nga intervista e Arben Taravari në TV Shenja me gazetarin Abedin Ismaili?
Intervista e djeshme nuk qe vetëm një paraqitje e zakonshme mediatike. Ajo nxori në pah disa dimensiione, dhe për herë të parë dëgjuam një Kërkimfalje si akt guximi dhe dinjiteti.
Taravari dje u kërkoi falje shqiptarëve për zhgënjimin me VLEN-in si shkaktarë të rënies së statusit politik të shqiptarëve. Kërkimfalja është akt i rrallë në politikë, ndërsa në kulturën tonë politike zakonisht kemi dëgjuar se fajin e kanë “të tjerët”. Prandaj ky ishte një moment i pazakontë, ndoshta hera e parë që dikush pati guximin dhe dinjitetin ta marrë mbi vete barrën morale.
Deri më sot, vështirë të kujtohet një politikan që ka pranuar publikisht përgjegjësi për dështime kolektive. Kërkimfalja nuk e zhbën dëmin, por të paktën pranimi i saj jep sinjal se kultura jonë politike po avansohet. Dhe pranimi është akt njerëzor politik. Është dallimi mes atij që fshihet pas shfajësimeve e arsyetimeve, dhe atij që përballet me realitetin. Në këtë pikë, Taravari ngriti standardin e debatit publik.
Taravari poashtu sqaroi me shembuj konkretë dhe fakte rrethanat e brendshme në VLEN, duke lënë të kuptohet qartë se VLEN-i nuk funksionon si subjekt me autonomi të plotë politike. Deklarata e tij se për VLEN-in më shumë kujdeset “shteti” sesa vetë ata, është e rëndë politikisht, e rëndë për shqiptarët në përgjithësi, por edhe më e rëndë për mbështetësit e VLEN-it.
Është e rëndë për një subjekt që pretendon përfaqësim kombëtar të mbështetet më shumë nga kujdesi i shtetit sesa nga kohezioni i vet, nga identiteti politik dhe të ketë mungesë të fuqisë së brendshme vendimmarrëse. Kjo, nuk po i kushton vetëm VLEN-it, është duke i kushtuar përfaqësimit shqiptar në tërësi, por edhe vetë shtetit, sepse po dobëson besimin në sistem.
Taravari përdori tashmë metaforën e njohur të tij “rrinë si pula në Qeveri” gjë të cilën e devijuan nga debati portalet dhe mediat e afërta me VLEN-in, të cilat sot ishin çuar peshë për ta devijuar, duke e interpretuar në mënyrë të organizuar si fyerje personale.
Por konteksti është i qartë, edhe ata vetë e dinë, pulat si metaforë për frikën, inferioritetin dhe nënshtrimin politik. Jo ofendim, por përshkrim i një gjendjeje. Në diskursin figurativ shqiptar, këto shprehje përdoren për të theksuar mungesën e guximit përballë pushtetit. Unë për vete më shumë e preferoj dhe përdori “tufa e lepujve të frikësuar”.
Pra, intervista e Taravarit shënoi një moment të rrallë sinqeriteti politik. Ai zgjodhi të pranojë dhe të sqarojë, kur të tjerët (VLENI) preferojnë të heshtin ose të fshehin krizën pas vetëlavdërimit dhe manipulimit. Nga ana tjetër, ajo vuri në pah qartë dështimin e VLEN-it, si në qeverisje, ashtu edhe brenda vetë koalicionit.
















