Qëndroni ulur gjithë ditën? Ja si po rrezikoni zemrën pa e kuptuar
Kur flasim për shëndetin e zemrës, shumica prej nesh përqendrohemi vetëm te vetë organi. Por ekspertët theksojnë se arteriet luajnë një rol po aq jetik në funksionimin e sistemit kardiovaskular.
Kardiologu Dr. Nadim Xelo, në një intervistë për Parade, shpjegon se arteriet e shëndetshme janë “të gjera, fleksibile dhe të lëmuara”, duke lejuar që gjaku i pasur me oksigjen të rrjedhë lirshëm në të gjithë trupin.
Megjithatë, mjekët paralajmërojnë për një zakon të përditshëm që i dëmton ato në heshtje: qëndrimi ulur për periudha të gjata kohore.
Sipas kardiologut Dr. Neil D. Shah, qëndrimi i gjatë ulur zvogëlon rrjedhjen e gjakut, veçanërisht në këmbë, pasi muskujt nuk tkurren për të ndihmuar kthimin e gjakut drejt zemrës.
Ndërkohë, Dr. Kevin Shah nga MemorialCare Heart & Vascular Institute thekson se kur qëndrojmë ulur për orë të tëra, arteriet fillojnë të sillen “më shumë si tuba të ngurtë sesa si kanale elastike”. Kjo, sipas ekspertëve, ushtron presion të vazhdueshëm mbi muskulin e zemrës, duke ulur gradualisht efikasitetin dhe forcën e tij.
Problemi më i madh është se dëmtimi i arterieve shpesh zhvillohet pa simptoma të dukshme. Arteriet e ngurta dhe të ngushta rrisin rrezikun e presionit të lartë të gjakut dhe arteriosklerozës, një gjendje ku depozitat yndyrore grumbullohen në muret e brendshme të enëve të gjakut.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për rrezikun e goditjes në tru, e cila mund të ndodhë kur një mpiksje gjaku bllokon një arterie, duke ndërprerë furnizimin me oksigjen të qelizave të trurit.
Kardiologët theksojnë se një stil jetese sedentare nuk nënkupton vetëm mungesë aktiviteti fizik, por edhe kalimin e më shumë se tetë deri në dhjetë orë në ditë ulur.
Prandaj, rekomandohet që gjatë ditës të bëhen pushime të shkurtra për të lëvizur, pasi edhe disa minuta ecje apo shtrirje mund të ndihmojnë në rivendosjen e qarkullimit dhe përmirësimin e funksionit arterial.
Flaka
















