29 përqind e bizneseve kanë reduktuar punëtorët

29 përqind e bizneseve kanë reduktuar punëtorët

Pas krizës me koronavirusin 52.9% e bizneseve të vendit për momentin nuk kanë bërë reduktime tek numri i stafit, 29.4% kanë bërë reduktime në numrin e stafit, ndërsa 17.7% thonë se nëse nuk marrin ndihmë nga shteti, do të detyrohen që edhe ata të bëjnë këtë. Kështu thonë rezultatet e anketës së Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore të realizuar me bizneset e vendit. Sipas anketës 27% janë përgjigjur se veprimtaria e tyre ende ka vazhdimësi normale, 33.3% janë përgjigjur se punojnë me orar të shkurtuar, ndërsa 31.7% thonë se punojnë me kapacitet të reduktuar. Kjo sipas Odës Ekonomike tregon për rrezikun që ballafaqohen kompanitë në funksionimin e tyre. Sipas anketës, 57.1% e të anketuarve kanë bindjen se masat nuk ndihmojnë bizneset, ndërsa vetëm 6.3% mendojnë se masat janë të qëlluara. Prandaj OEMVP propozon masa të menjëhershme që siç thonë ata, do të ndihmojnë ekonominë dhe biznesin që të jetë likuid në këtë fazë të krizës.

Nebi Hoxha, kryetar i OEMVP

“Duke pasur parasysh urgjencën e situatës, OEMVP-ja propozon këto masa: Borxhet e shtetit ndaj kompanive private të kthehen me prioritet, pasi që likuiditeti i shumë kompanive është në rrezik në këtë periudhe krize; Kthimi i TVSH-së të realizohet me prioritet për prodhuesit dhe ata që janë të orientuar ndaj eksportit; Shfuqizimi i akontacionit mbi tatimin në fitim, pasi që 2020-ta do jetë vit me humbje për shumicën e kompanive, dhe avancimi i fitimit gjithsesi do të ndikojë në likuiditetin e tyre; Produktet që Qeveria i konsideron si esenciale për jetën e qytetarit, të cilat importohen të kenë 0% kosto të doganës, pasi që çmimi hyrës i të njejtave është rritur, ndërsa kompanitë kanë kufizim të rritjes së çmimeve; Subvencionim i pagës së punëtorëve në vlerë minimale mesatare prej 20,000 den neto”

Nga OEMVP thonë se këto masa do të sigurojnë ruajtjen e vendeve të punës, që paraqet interes të përbashkët të vendit dhe kompanive, do të ulin kostot operative të kompanive, do të ndihmojnë kompanitë të marrin huazime të reja për të shlyer detyrimet nga palët e treta dhe po ashtu do të siguron konsumin, që është baza e ekonomisë vendore.
Nebi Hoxha, kryetar i OEMVP
“Sipas OEMVP-së, realizimi i masave duhet të realizohet sipas këtyre parimeve: Masat të aplikohen me prioritet në afat sa më të shpejtë; Të përkrahen të gjitha kompanitë dhe masat të jenë inkluzive për të gjitha përshkak se të gjithë njëlloj janë të goditur nga situata; Përkrahja për subvencionim të pagave të zgjasë minimum 3 muaj; Kreditë me normë interesi 0-0,30% të kenë minimum grejs periudhë prej 6 muajsh; Partitë politike të mos shërbehen me krizën e COVID19 për poena politike.”

Nga OEMVP kërkojnë  që norma minimale e interesit të mbulohet nga ana e shtetit, përkatësisht Qeveria, ndërsa kërkojnë mundësi për kredi me normë interesi minimale dhe procedurë të thjeshtëzuar për kompanitë që kanë projekte zhvillimore. Ajnur Bafqari /SHENJA/

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 31 Mars, 2020 16:46

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.