30-vjetori i tubimit për pajtimin e gjaqeve në Çegran të Gostivarit

30-vjetori i tubimit për pajtimin e gjaqeve në Çegran të Gostivarit

Lulëzim ETEMAJ

Pak kohë pasi në vitin 1990 kishte filluar në Pejë nga studentët, ish të burgosur politikë, Myrvete Dreshaj, Have Shala, Brahim Dreshaj, Adem Grabovci dhe Lulëzim Etemaj, pajtimit të gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave i ishin bashkangjitur, krahas qyteteve të tjera, edhe Tetova e Gostivari.
Adnan Abdullahi-Voka, Afrim Ibrahimi-Fanda, ish i burgosur politik, Dashmire Rizvani, Resmije Abdurrahmani, Hyrijet Tahiri e Besime Muharremi përbëjnë bërthamën e parë të nismëtarëve të Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve në Tetovë dhe Gostivar. Pajtimi i parë i arritur prej tyre në fshatin Trebosh ka shërbyer edhe si një motiv tjetër shtesë për ta rritur përkushtimin e tyre dhe për ta bartur barrën kryesore të punës në terren, si dhe të koordinimit dhe bashkërendimit, qoftë në këtë anë, qoftë me nismëtarët e Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë apo Lëvizjen në përgjithësi.

No description available.

Kësaj bërthame më vonë i bashkëngjiten edhe veprimtarët të tjerë, si Mehmetriza Murtezani-Gega, organizator i demonstratave të vitit 1968 në Tetovë, ish i burgosur politik dhe njëherazi, ashtu si Adem Demaçi në Prishtinë, prijës kryesor shpirtëror i irredentizmit shqiptar në këtë anë; Valdete Fejzullahi, Nafije Zendeli, ish e burgosur politike, Tahir Abdullahi, Afërdita Ceka, Mensur Fejzullahi, Naser Veliu, Izet Fejzullahi, Nuredin Aliji, vëllezërit Xhevat e Nexhat Ahmeti, Fatime Fejzullahi, vëllezërit ish-të burgosur politikë, Vebi dhe Remzi Beqiri, Luan Veliu, Isak Sherifi, Xhevat Ademi, ish i burgosur politik, profesorët Fadil Sylejmani dhe Ramadan Sinani, po ashtu një nga organizatorët e demonstratave të vitit 1968 në Tetovë, si dhe ish i burgosur politik.
Veprimtarinë e këtij këshilli, krahas Myervete Dreshajt dhe Lulëzim Etemajt, e ndihmuan më vonë edhe Luljeta Grabovci, Naim Xhuraj, Adem Grabovci, Ibish Neziri, si dhe veprimtarë të tjerë nga rrethi i Pejës, por edhe nga vende të tjera.

No description available.

Si rezultat i angazhimit të shkëlqyeshëm të veprimtarëve të shumtë, si dhe gatishmërisë për të falë gjaqe, plagë e ngatërresa, të treguar nga familjet e dëmtuara, më 28 korrik 1990 mbahet në Çegran të Gostivarit tubimi madhështor për pajtimin e gjaqeve. Në “Rudinën e Pajtimit”, bri Malit të Thatë, edhe përkundër masave të rrepta policore të pushtetit maqedonas për të penguar me anë të ndalimit të veturave dhe legjitimimit e marrjes në shënim të pjesëmarrësve, për të qenë pjesëtarë të Besëlidhjes së Gostivarit, arritën të tuboheshin 50 mijë veta nga të gjitha trojet shqiptare. Në këtë ditë feste u bë promovimi i shtrirjes së dorës së pajtimit nga 9 familje: u falën 3 gjaqe dhe 6 ngatërresa. Përgatitjen e tubimit e ndihmuan, veç të tjerëve, nismëtarët e pajtimit të gjaqeve Myrvete Dreshaj dhe Lulëzim Etemaj, të cilët që nga data 1 maj, kohën më të madhe e kishin kaluar në organizimin e këshillave dhe shtrirjen e pajtimit të gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave edhe në këto anë. Në tubim morën pjesë gjithashtu edhe veprimtarë të tjerë të pajtimit të gjaqeve, si Adem Grabovci, dr. Zekeria Cana, dr. Hajrullah Gorani, ish i burgosur politik, dr. Hakif Bajrami etj.

No description available.

Për kontributin e dhënë në organizim dhe shtrirjen e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve edhe në viset shqiptare nën Maqedoni, Këshilli i Pajtimit dhe Dega e Partisë së Prosperitetit Demokratik në Gostivar shpërblyen me mirënjohje publike pesë nismëtarët e Pejës të Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë, me pllakatin e pajtimit: dy duar të lidhura me mbishkrimin “Rudina e Pajtimit ’90”. Në emër të nismëtarëve shpërblimin e pranoi studentja Myrvete Dreshaj, e cila duke falënderuar për përkrahjen që kishin gjetur nismëtarët e pajtimit të gjaqeve dhe nisma e tyre edhe në këtë anë, do t’u drejtohet me një fjalë të shkurtër pjesëmarrësve në Kuvend, ku, përveç të tjerash, do të theksojë: “Kështu, të bashkuar, do t’i bëjmë të paqenë kufijtë midis tokave shqiptare, të cilët po bën përpjekje t’i forcojë edhe pushteti i Maqedonisë së sotme, dhe do të arrijmë lirinë dhe bashkimin kombëtar”.
Sigurisht që policia shoviniste maqedonase s’do të qëndronte indiferente as në këtë rast, prandaj kishte marrë masat e nevojshme për arrestimin e Myrvete Dreshajt. Mirëpo edhe ana tjetër s’kishte qëndruar duarkryq: pas maskimit që i kishte bërë asaj, e tërheq dhe e strehon në një shtëpi ku kishte siguri më të madhe.

(Shkëputur nga libri “Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1991”)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 28 Korrik, 2020 21:36

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.