35% e qytetarëve të Maqedonisë paguajnë nga xhepi për shëndetin

Desk
By Desk 3 Prill, 2019 19:29

35% e qytetarëve të Maqedonisë paguajnë nga xhepi për shëndetin

35% e qytetarëve të vendit paguajnë nga xhepi i tyre për shërbime shëndetësore, që do të thotë shfrytëzojnë kapacitetet e spitaleve private dhe jo ato shtetërore. Nga ana tjetër zonat e thella malore të rajonit të Pollogut, Shkupit dhe Kumanovës nuk kanë aspak qasje deri te shërbimet primare shëndetësore, qoftë të përgjithshme, stomatologjike apo farmaceutike. Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e ditës botërore të Shëndetësisë, autoritetet shëndetësore nuk kishin të dhëna zyrtare mbi shkaqet që çojnë në refuzimin e pacientëve për marrjen e shërbimeve shëndetësore nëpër spitalet e shtetit e as mbi shkaqet e të dhënave alarmante për mungesën e shërbimeve shëndetësore nëpër zonat e thella malore.

Duhet të përmendet për shëndetësinë primare se sa prej vendeve të banuara në zona malore janë të mbuluara me këto shërbime. Kam informacione se në rajonin e Kumanovës, Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Dibrës nuk kemi shërbime shëndetësore primare në këtë pjesë të vendit. Dhe kjo lidhet edhe me qasjen deri te kujdesi stomatologjik si dhe farmaceutik. – tha Shaban Memeti, Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik

Vdekja e foshnjave dhe nënave vazhdon të mbetet e lartë krahasuar me vendet e Evropës, ndërkaq shqetësuese mbeten shifrat mbi përdorimin e duhanit, çështje e cila nuk ka pësuar aspak përmirësim.

Rreth 50,7 për qind nga moshat 15 deri në 40 vjeç, dhe 55,4 për qind nga 15-60 vjeç janë përdorues të duhanit, ku dominon gjinia mashkullore. Por shqetësues është edhe fakti që 43% nga konsumuesit e duhanit janë femra”. –theksoi Elena Qosevska, Instituti i Shëndetit Publik

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik së paku gjysma e popullsisë në botë për momentin nuk marrin shërbime shëndetësore për të cilat kanë nevojë. Ndërsa thuajse 100 milion njerëz që jetojnë në varfëri të skajshme duhet që shërbimet shëndetësore t’i paguajnë nga xhepi i tyre.

Video:

Desk
By Desk 3 Prill, 2019 19:29