Limani paralajmëron fitore në Gostivar: Në tetor do të festojmë së bashku!
Kryetari i Komunës së Gostivarit, njëherit anëtar i Kryesisë Qendrore të ASH-së, Valbon Limani ka paralajmëruar fitore në zgjedhjet lokale. Bashkë me ju, tha Limani do të festojmë në Gostivar, e ASH-ja do të triumfojë cep më cep, raporton Flaka.
Limani para anëtarësisë dhe simpatizantëve të ASH-së e cila realizoi takim me banorët e Gostivarit, foli edhe për dhjetëra projekte kapitale që janë duke u realizuar aktualisht në këtë qytet, ndërsa theksoi se ndryshimi i premtuat realitet do të bëhet në vjeshtë me mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
“Këto ditë të nxehta të verës, disa orë përditë jam në terren, duke ndjekur punimet që bëjmë për rrugët e reja, në kuadër të projektit Komunë n’Punë.Takoj shumë banorë të Gostivarit, në qytet e në fshat, bisedoj dhe secili është ndryshe nga tjetri, por një gjë i bashkon: Dëshira për ndryshim!
Ndryshimi që donim nuk erdhi por… Ne e kemi nisur këtë punë prej kohësh dhe nuk ka asgjë që e ndalon”, deklaroi Valbon Limani, kryetar i Komunës së Gostivarit.
Limani kishte një mesazh edhe për ish bashkëpartiakët, të cilët mbetën pjesë e ekzekutivit. Ai tha se ata i ka hutuar pushteti.
“Edhe kur disa elementë e humbasin rrugës qëllimin e tyre, joshen dhe hutohen nga përkedhelja e pushtetit, falë Zotit që shumica prej nesh është me këmbë në tokë dhe nuk harron synimet e vërteta”, deklaroi më tej Valbon Limani, kryetar i Komunës së Gostivarit.
Limani në fjalën e tij nënvizoi se Aleanca për Shqiptarët kur doli nga qeveria u bë edhe më e fortë, “sepse zgjodhi të drejtën e kush është me të drejtën është gjithnjë më i fortë!”
Shtoi se në Tetor nga Gostivari e në çdo cep të vendit “do tregojmë se kush është përfaqësuesi më i mirë për popullin!”
Limani paralajmëroi që tani fitore në zgjedhjet lokale në Gostivar, i cili pritet të jetë kandidat i ASH-së për kryetar komune në këtë qytet.
“Tashmë është koha që politika nuk ndahet më me parti por me njerëz të mirë që e duan të mirën e të gjithëve dhe jo vetëm atë personale. Do festojmë në Tetor e sa për mua jam i lumtur që do të festoj me ju në Gostivar që kudo e përgjithmonë e kemi të Parë!”, mbylli fjalën e tij i pari i Gostivarit, Valbon Limani.














