A do të dëgjojë Putin porosinë e Papa Françeskut?

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 13 Mars, 2022 22:22

A do të dëgjojë Putin porosinë e Papa Françeskut?

Papa Françesku bëri thirrje për paqe në Ukrainë gjatë lutjes së tij në Sheshin e Shën Pjetrit të dielën, duke i quajtur sulmet e Rusisë një “agresion të papranueshëm” kundër Ukrainës. Por, a do të dëgjojë Putin këtë porosi të a Françeskut?

“Në emër të Zotit, le të dëgjohet zëri i atyre që vuajnë dhe le të pushojnë bombardimet dhe sulmet”, tha ai. Papa kërkoi që sulmet të ndaleshin dhe shtoi se bombardimi i spitaleve të fëmijëve dhe shënjestrimi i civilëve në Ukrainë është “barbar” dhe pa “asnjë arsye të vlefshme strategjike”.

“Përballë barbarisë së vrasjes së fëmijëve, njerëzve të pafajshëm dhe civilëve të pambrojtur, nuk ka arsye strategjike për t’u besuar,” tha Papa. “Gjithçka që nevojitet është të ndalet agresioni i armatosur i papranueshëm përpara se të reduktojë qytetet në varrezat”.

Kombet e Bashkuara thanë të dielën se ka arritur në pothuajse në 2.7 milionë numri i refugjatëve që janë larguar nga Ukraina qëkur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi nisjen e pushtimit të shtetit fqinj më 24 shkurt. Komisionari i Lartë për Refugjatë i OKB-së tha se 2,698,280 refugjatë janë larguar nga Ukraina deri më tani. Kjo shifër paraqet rritje prej 100,700 krahasuar me një ditë më parë. Shefi i Agjencisë për Refugjatë i OKB-së, Filippo Grandi, ka thënë se ky është eksodi më i madh i refugjatëve në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Katër milionë persona mund të largohen nga Ukraina për shkak të dhunës, ka vlerësuar OKB-së. Por, sipas Agjencisë për Refugjatë (UNHCR), ky numër mund të rritet. Polonia aktualisht ka pranuar mbi gjysmën e refugjatëve, apo 1,655,503 kanë hyrë në këtë shtet që prej nisjes së pushtimit, ka thënë UNHCR. E Rusia ka vazhduar edhe sot me granatime të vendbanimeve të ndryshme në Ukrainë duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale. Gjithashtu edhe sot ka pasur protesta kundër agresionit rus në Rusi – ku policia arrestoi më shumë se 800 njerëz të dielën.

OJQ-ja OVD-Info, e cila monitoron arrestimet gjatë protestave, tha se policia kishte arrestuar 817 persona gjatë demonstratave në 37 qytete në Rusi. Forcat e zbatimit të ligjit në Moskë thanë se kishin arrestuar rreth 300 njerëz në qendër të qytetit për shkelje të rendit publik. Ndryshe, bombardimet ruse sot kanë vrarë një gazetar amerikan dhe një tjetër u plagos.

Kurse zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se mbi 140,000 civilë janë evakuuar nga zonat e konfliktit përmes korridoreve humanitare. Të dielën, disa qindra persona u evakuuan nga qytetet në rajonin e Kievit dhe rreth 5,000 të tjerë janë evakuuar nga rajoni lindor i Luhanskut, tha ajo gjatë një interviste për televizionin shtetëror ukrainas. Megjithatë, Vereshchuk thoi se konvojet humanitare edhe një herë kanë dështuar që të arrijnë në qytetin e rrethuar të Mariupolit, për shkak të granatimeve ruse.

“Konvoji ka qëndruar në Berdiansk [qytet i okupuar nga rusët] dhe nesër sërish do të tentojë të arrijë në Mariupol”, citohet të ketë thënë Vereshchuk.

E në ditën e porosisë së Papaës, Rusia i ka kërkuar Kinës ndihmë ushtarake në luftën e saj kundër Ukrainës, raporton sot Financial Times. Lajmi vjen ndërsa këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan përgatitet të takohet me këshilltarin kinez për politikën e jashtme, Yang Jiechi në Romë të hënën, transmeton Fox News. Rusia i ka kërkuar gjithashtu Kinës ndihmë ekonomike shtesë, për të ndihmuar në kundërshtimin e goditjes që ekonomia e saj ka marrë nga sanksionet e gjera të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane dhe aziatike, sipas një zyrtari.

Zyrtarët amerikanë në kushte anonimiteti, nuk pranuan të përshkruanin më tej llojin e pajisjeve ushtarake që kërkon Moska. Ata gjithashtu refuzuan të diskutojnë ndonjë reagim nga Kina ndaj kërkesave. Zyrtarët amerikanë po vëzhgojnë Kinën nga afër për të parë nëse ajo do të veprojë në lidhje me ndonjë kërkesë për ndihmë nga Rusia.

Jake Sullivan, këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, është planifikuar të takohet të hënën në Romë me Yang Jiechi, një anëtar i Byrosë Politike elitare të Partisë Komuniste Kineze dhe drejtor i Komisionit Qendror të Punëve të Jashtme të partisë. Sullivan synon të paralajmërojë Yang për çdo përpjekje të ardhshme kineze për të forcuar Rusinë në luftën e saj ose për të dëmtuar Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre. “Ne po i komunikojmë drejtpërdrejt, privatisht Pekinit, se do të ketë absolutisht pasoja për përpjekjet e shmangies së sanksioneve në shkallë të gjerë ose mbështetjen ndaj Rusisë për t’i plotësuar ato,” tha Sullivan sot për CNN.

“Ne nuk do të lejojmë që kjo të shkojë përpara dhe të lejojmë që Rusia të ketë një rrugë shpëtimi nga këto sanksione ekonomike nga asnjë vend, kudo në botë,” tha ai.

Sullivan nuk përmendi qartë mbështetjen e mundshme ushtarake nga Kina, por zyrtarë të tjerë amerikanë folën për kërkesën nga Rusia në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjeve diplomatike dhe të inteligjencës. Udhëheqësit kinezë deri më tani kanë refuzuar të kritikojnë Vladimir Putin për pushtimin e Ukrainës dhe kanë kritikuar sanksionet ekonomike nga Perëndimi. Kina abstenoi në votime të shumta të Kombeve të Bashkuara për të dënuar pushtimin rus të Ukrainës. Në një video të postuar në mediat sociale, këshilltari i Presidentit Zelensky, Mykhailo Podolyak, tha se Rusia kishte filluar të angazhohej në mënyrë konstruktive.

“Rusia tani e percepton në mënyrë shumë më adekuate botën përreth saj. Ajo është shumë më e ndjeshme ndaj pozicionit të Ukrainës, e cila është dëshmuar në fushat e betejës, dhe në veprimet e Ukrainës në drejtim të mbrojtjes së interesave të saj.

“Propozimet tona janë në tryezë dhe janë shumë të ashpra. Para së gjithash, ato kanë të bëjnë me tërheqjen e trupave, armëpushimin etj. Në parim, ne nuk do të heqim dorë nga asnjë nga pozicionet tona. Rusia tashmë e kupton këtë. Rusia ka filluar të flasë në mënyrë konstruktive”.

Edhe diplomati i lartë amerikan, Wendy Sherman, tha se Rusia po tregonte shenja të përfshirjes në negociata thelbësore, thotë korrespondenti diplomatik i BBC-së, James Landale. Por asnjëra palë nuk do të thoshte se ku është arritur progres, nëse ka, në çështjet humanitare apo edhe mundësinë e një armëpushimi, shton korrespondenti ynë. Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, dha një notë më pesimiste, duke thënë për radion franceze se lufta do të ishte e gjatë dhe “më e keqja ishte përpara nesh”

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 13 Mars, 2022 22:22