A do të jetë 2024-a një 1933 e re?

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Shkurt, 2024 20:30

A do të jetë 2024-a një 1933 e re?

Jo shumë kohë më parë, liderët evropianë u bashkuan dhe bënë krejt çfarë duhej për ta shpëtuar euron ngase e kuptuan që dështimi i valutës së përbashkët do t’i jepte fund vetë Bashkimit Evropian. Evropianët tani duhet ta kërkojnë po të njëjtën urgjencë për t’i përballur kërcënimet e këtij viti. BE-së i duhet një plan i ri për botën pa NATO-n. I duhen mjete të reja për t’i luftuar liderët e vendeve anëtare, si puna e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, dhe kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, që më përpara do të puthnin unazën e Putinit sesa ta mbronin demokracinë

Nga Mark JONES

Jo shumë kohë më parë liderët evropianë u bashkuan dhe bënë krejt çfarë duhej për ta shpëtuar euron, ngase e kuptuan që dështimi i valutës së përbashkët do t’i jepte fund vetë Bashkimit Evropian. Evropianët tani duhet ta kërkojnë po të njëjtën urgjencë për t’i përballur kërcënimet e këtij viti. BE-së i duhet një plan i ri për botën pa NATO-n. I duhen mjete të reja për t’i luftuar liderët e vendeve anëtare, si puna e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban dhe kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, që më përpara do të puthnin unazën e Putinit sesa ta mbronin demokracinë. Është thjesht e papranueshme që Orbani ende e ka të drejtën e vetos mbi vendimmarrjen e BE-së. Në SHBA mobilizimi politik është një ndryshore e madhe. Kundërshtarët e Trumpit duhet t’i lënë mënjanë dallimet dhe të bashkohen prapa presidentit Joe Biden. E dimë fare mirë se ku mund të shpjerë mungesa e unitetit dhe optimizmi naiv.

Më 30 janar të 1933-s, Adolf Hitleri u emërua kancelar i Gjermanisë. Për mbështetësit e tij, kjo qe dita e “revolucionit kombëtar” dhe e rilindjes. Gjermanisë, besonin ata, i nevojitej forca restauruese e një burrështetasi autoritar, pas 14 vjetësh të sistemit liberal-demokratik të Vajmarit. Atë natë, këmishëkafenjtë e Hitlerit marshuan me pishtarë në duar përgjatë Berlinit qendror për ta shënuar agimin e një epoke të re.

Ky ishte njashtu një moment triumfues në historinë e mashtrimit popullor. Që prej ditëve të hershme të Republikës së Vajmarit, politikat e saj janë definuar nga fushatat e dezinformimit, përfshirë gënjeshtrën se demokracia e Vajmarit ishte vepër e një grupi hebrenjsh dhe socialistësh që e “therën Gjermaninë në shpinë” për ta siguruar disfatën e saj në Luftën e Parë Botërore. Sot të paktë janë ata që kontestojnë se ardhja e Hitlerit ishte pikë kthese në historinë botërore, se ishte fillim i një procesi politik që do të shpinte drejt Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit. Por Hitleri nuk e “kapi pushtetin”, siç nazistët pretenduan më vonë. Në vend të kësaj, siç shpjegoi biografi i tij, Ian Kershaw, ai është “ngjitur në pushtet” nga një grup i vogël burrash me ndikim. Njëri prej këtyre burrave ishte Franz von Papeni, i cili shërbeu si kancelar më 1932. Ai mendoi (në mënyrë famëkeqe) se Hitleri dhe Partia Naziste – deri atëherë partia më e madhe, pas zgjedhjeve të Reichstagut më 1932 – mund ta përdornin avantazhin e një agjende konservatore. Po kështu, presidenti i Gjermanisë, ish-marshali Paul von Hindenburg, donte ta përdorte Hitlerin për ta rivendosur monarkinë.

Por këto plane konservatore shumë shpejt u zhbënë shkaku i udhëheqjes së pamëshirshme të Hitlerit, të dhunës naziste dhe të nxitimit të publikut gjerman për t’iu bashkuar regjimit dhe për t’u bërë pjesë e rizgjimit të premtuar kombëtar. Liberalët dhe socialdemokratët, të cilët e kundërshtuan Hitlerin, ose iu nënshtruan dhunës ose u kapën në vetë arratisjen e tyre optimiste. Sado keq që gjërat shkuan, ata e siguruan veten se sundimi i Hitlerit në fund do të binte. Luftimet e brendshme te nazistët pa dyshim se do t’ia shkaktonin fundin qeverisë së re.

Përtej liberalëve dhe socialistëve, një pjesë e gjerë e shoqërisë gjermane supozoi se Hindenburgu, i cili pati premtuar të bëhej president i të gjithë gjermanëve, do ta mbante Hitlerin në zinxhirë, përderisa të tjerët prisnin se ushtria do ta bënte një gjë të tillë. Të gjithë ishin mashtruar nga aftësia e Hitlerit për t’u dukur i respektueshëm në vitet e fundit të Republikës së Vajmarit.

Gjatë 100 ditëve të emërimit të Hitlerit për kancelar, siç tregoi historiani Peter Fritzsche, goditja e pamëshirshme e nazistëve për pushtet u bë më se e qartë. Deri në fund të verës së 1933-s, shoqëria gjermane u vu në teh. Më nuk kishte parti të pavarura politike, sindikata apo organizata kulturore. Vetëm kishat e krishtera e ruajtën një shkallë pavarësie. Një vit më vonë, në verën e 1934-s, Hitleri e urdhëroi vrasjen e rivalëve të brendshëm të partisë së tij dhe, pas vdekjes së Hindenburgut më 2 gusht e shpalli veten Fyhrer gjerman. Diktatura e tij ishte kompletuar. Deri atëherë kampet e para të përqendrimit veçse ishin ngritur dhe po funksiononin, teksa ekonomia po ecte në shtegun drejt luftës. Kjo periudhë e historisë mbetet tejet e rëndësishme edhe sot. Me qindra miliona njerëz do të votojnë në zgjedhjet vendimtare të këtij viti dhe ndonëse shenjat paralajmëruese janë të dukshme, pak komentues janë të gatshëm që ta thonë hapur: 2024-a mund të jetë një 1933 e re.

Vetëm merreni me mend botën një vit pas së sotmes, kur dezinformimi i rrëzon shumicat demokratike kudo në glob. Kur presidenti Donald Trump i jep fund mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Ukrainën. Kur NATO-ja më nuk e përbën zaptin për ëndrrat e Vladimir Putinit që ta ndërtojë një perandori ruse të re përgjatë Evropës Lindore. Kur një masë kritike e partive të së djathtës ekstreme në Parlamentin Evropian e bllokon përgjigjen e unifikuar evropiane. Kur Polonia, Estonia, Lituania dhe Letonia ngelën veten. Kur lufta në Gazë zgjerohet në një konflikt rajonal e Putini e shfrytëzon mundësinë për ta lansuar edhe një rrufe, me raketa të rrezes së gjatë të veprimit. Dhe kur në mes të kaosit, Kina vendos ta pushtojë Tajvanin.

Perspektiva për 2024-n është aq e zymtë saqë shumica refuzojnë ta parashikojnë atë. Sikurse në rastin e 1933-s kur liberalët parashikuan se Hitleri së shpejti do të bjerë, mendimi i dëshirueshëm i së sotmes është mjegullimi i gjykimit tonë. Po ecim somnambul – le ta huazojmë kësisoj metaforën e zgjuar të Christopher Clarkut për nisjen e Luftës së Parë Botërore – drejt një rendi të ri ndërkombëtar.

Në historinë e saj mjeshtërore, me dy vëllime, për epokën e ndërluftës, Zara Steineri u referohet viteve 1929-1933 si “vite menteshë”, kur idealizmi për marrëdhëniet ndërkombëtare u zëvendësua nga “Triumfi i Errësirës”. Por deri më 1926, liberalët dukej se fitonin: ministri i Jashtëm i Francës, Aristide Briand, dhe homologu i tij gjerman, Gustav Stresemann, e ndanë çmimin “Nobel” për paqe për angazhimin e tyre në pajtimin franko-gjerman, ndërsa Gjermania iu bashkua Ligës së Kombeve. Nacionalizmi ekstrem dukej të ishte i izoluar në Italinë e Mussolinit. Në ballafaqimin me krizat globale të së sotmes, nuk ka hapësirë për optimizëm. Ndodhemi potencialisht në një tjetër vit menteshë. Nëse liberalët veprojnë tani, mund ende të mbizotërojnë. Në një shenjë premtuese, me qindra e mijëra gjermanë së fundi i rrokën rrugët për t’i mbështetur demokracinë dhe diversitetin dhe për ta denoncuar të djathtën ekstreme. Por, demonstratat në një shtet nuk janë të mjaftueshme. Liberalëve gjermanë duhet t’u bashkohen edhe të tjerët përgjatë kontinentit. Një demonstratë mbarëkontinentale do ta përçonte një mesazh të fuqishëm. Ndjenja e urgjencës duhet të zgjerohet gjithandej, veçmas te liderët e biznesit, si shefi ekzekutiv i JPMorgan Chase, Jamie Dimon, i cili, duke i mbrojtur bastet e tij veçse ka nisur që të përshtatet me Trumpin.

Jo shumë kohë më parë, liderët evropianë u bashkuan dhe bënë krejt çfarë duhej për ta shpëtuar euron ngase e kuptuan që dështimi i valutës së përbashkët do t’i jepte fund vetë Bashkimit Evropian. Evropianët tani duhet ta kërkojnë po të njëjtën urgjencë për t’i përballur kërcënimet e këtij viti. BE-së i duhet një plan i ri për botën pa NATO-n. I duhen mjete të reja për t’i luftuar liderët e vendeve anëtare, si puna e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, dhe kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, që më përpara do të puthnin unazën e Putinit sesa ta mbronin demokracinë.

Është thjesht e papranueshme që Orbani ende e ka të drejtën e vetos mbi vendimmarrjen e BE-së. Në SHBA, mobilizimi politik është një ndryshore e madhe. Kundërshtarët e Trumpit duhet t’i lënë mënjanë dallimet dhe të bashkohen prapa presidentit Joe Biden. E dimë fare mirë se ku mund të shpjerë mungesa e unitetit dhe optimizmi naiv.

(Mark Jones, asistent-profesor i historisë në Kolegjin Universitar të Dublinit, është autor i librit: “1923: The Forgotten Crisis in the Year of Hitler’s Coup”)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Shkurt, 2024 20:30

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare