Për momentin, Banka Popullore nuk do ta shtrëngojë politikën monetare, si përgjigje ndaj normës së rishikuar të inflacionit prej 3.1 për qind për këtë vit.
Ndërmarrja e politikave monetare përmes rritjes së mundshme të normës së interesit për bonot thesare do të nënkuptonte edhe rritje të normave të interesit për kreditë e paguara nga qytetarët.
Guvernatorja në emisionin Magazina Ekonomike në Alsat thekson se duhet të merren parasysh politikat fiskale ose qeveria të krijojë masa për të ndihmuar kategoritë e rrezikuara të qytetarëve për të dalë nga kriza energjetike.
“Në këtë periudhë kur kemi lëvizje në rritje të inflacionit, ndoshta duhet mbështetje e mëtejshme por e fokusuar në segmentet e kategorive më të rrezikuara të popullsisë dhe në planin afatmesëm është e nevojshme të vazhdohet me strategjinë e konsolidimit fiskal sepse sërish do të mundësojë më shumë hapësirë, do të thotë më shumë komunikim midis politikës fiskale dhe asaj monetare dhe do të lejojë që politika monetare të qëndrojë e relaksuar për një periudhë më të gjatë”, ka thënë Anita Angelovska- Bezhovska- Guvernatore e BP-së.
Bezhovska thekson se as devalvimi i denarit dhe as ulja e mundshme e vlerës së valutës vendase nuk mendohet e as që ka nevojë. Denari është i qëndrueshëm dhe mbështetje për këtë janë rezervat devizore më të larta historikisht prej 3,6 miliardë euro ose 30 për qind të bruto prodhimit vendor.
“Denari ka vite që është stabil, nuk ka arsye pse të mos jetë stabil, do të theksoja se rezervat devizore, të cilat janë faktor kyç nga i cili varet stabiliteti i denarit, janë në nivel më të lartë historik, ju përmendët vitin 2008 kur u përballën me krizën ekonomike botërore, atëherë, për shembull, niveli i rezervave valutore ishte gjysma e asaj që kemi sot”, u shpreh ajo.
Sipas Bezhovskës, Banka Popullore ka në dispozicion mekanizma të mjaftueshëm për t’iu përgjigjur me kohë goditjeve të reja të mundshme që do të ndodhin nga pasiguria me pandeminë apo kriza e re energjetike. / Alsat.mk