A ka dhe sa kontrolle të protokolleve shëndetësore kryhen në objektet hotelerike dhe objekte të tjera?
Ndërsa zyrtarët ecnin pa maska gjatë mitingjeve, festave partiake dhe nëpër qendra tregtare dhe asnjëri prej tyre nuk paguante nga xhepi për shkeljen e protokolleve shëndetësore, ky privilegj padyshim nuk vlen për qytetarët e thjeshtë. Kështu në 2 javët e kaluara 219 qytetarë janë gjobitur për mosmbajtje të maskës, e më të papërgjegjshëm janë qytetarët e Tetovës, përcjell FLAKA.
“Ministria e Brendshme ju bën me dije se për masën e mbrojtjes personale të personit në periudhën nga data 22.10.2021 deri më 05.11.2021 janë regjistruar 219 shkelje. Në territorin e SPB Tetovë 158, SPB Strumicë 22, SPB Veles 17, SPB Kumanovë 15, SPB Shkup 5 dhe SPB Shtip 2”, thonë nga MPB.
Por protokollet shëndetësore nuk respektojnë as ambientet e hotelerisë. Në 3 javë, inspektorati i tregut mbylli 11 objekte, në të cilat jo vetëm kishte më shumë se sa lejohej, por disa prej tyre kanë pasur kilentë edhe pa certifikatë vaksinimi.
Të gjitha këto zhvillime kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës epidemiologjike. Pra në 10 ditë numri i rasteve aktive me covid është rritur me më shumë se 1000. Periudha e fundit ka një rritje të përqindjes së personave pozitiv nga të testuar që mesatarisht është 16, ndërsa dje ishte 18 për qind. Për epidemiologët, shifrat pritet të rriten edhe më shumë, sidomos tek të rinjtë.
Sipas analizave, bëhet fjalë për gjimnazistë, studentë, pra popullata që nuk është e vaksinuar dhe që shëtisin, bëjnë kontakte të pambrojtura. Shumica janë asimptomatike dhe e bartin virusin. FLAKA