A ka ekzistuar Lufta e Trojës?

A ka ekzistuar Lufta e Trojës?

Duke përgatitur librin e ri me tregime antike – të përkthyera nga shkrimtarët e mëdhenj, “Për zotët dhe njeriun” – u çudita kur zbulova sesa i përhapur ndër shekuj ka qenë tregimi për Luftën e Trojës.

Autorët e ndryshëm, si John Dryden, Alexander Pope dhe Louis MacNeice, janë nxitur të përkthejnë versione të ndryshme të mitit klasik. Një arsye se pse Lufta e Trojës ka prekur telat e njerëzve – pos që është një histori e shkëlqyeshme – është fakti se prej kohësh dyshohet nëse ajo ka ndodhur me të vërtetë.

Për shumicën e grekëve të lashtë, Lufta e Trojës në fakt ishte më shumë sesa një mit. Ishte një moment që përcakton epokën e të kaluarës së tyre. Siç tregojnë burimet historike – nga Herodoti dhe Eratosteni – përgjithësisht supozohej se ajo ka qenë një ngjarje e vërtetë.

Sipas “Iliadës” së Homerit, konflikti midis grekëve – të udhëhequr nga Agamemnoni, Mbreti i Mikenës – dhe trojanëve – mbreti i të cilit ishte Priami – u zhvillua në Epokën e Bronzit të Vonë dhe zgjati 10 vjet. Filloi kur Parisi, djali i pafat i Priamit, e gjykoi Afërditën të jetë perëndesha më e bukur, për çka si kompensim ia dha për dhuratë balldëskën e mrekullueshme të Agamemnonit, Helenën. I përcaktuar për ta rikthyer Helenën dhe për të ndëshkuar trojanët, Agamemnoni dhe vëllai i tij marshuan me një ushtri të fuqishme kundër Trojës, dhe përfundimisht arritën të gjunjëzojnë njerëzit e saj.

Në Antikitet, madje edhe historianët e respektuar ishin të gatshëm të besojnë se kjo luftë me të vërtetë ka ndodhur. Në gjysmën e dytë të shekullit të V-të, Herodoti – i ashtuquajturi “Babai i Historisë” – e vendosi Luftën e Trojës pothuajse 800 vjet para kohës së tij. Matematikani Eratosten ishte më specifik, duke e datuar luftën në vitet 1184 ose 1183 p.e.s. Studiuesit modernë, megjithatë, kanë prirje të jenë më skeptikë.

Ndaj, a ndodhi Lufta e Trojës?

Dilema është në epiqendër të “Trojës: Miti dhe Realiteti” – ekspozitë kjo e hapur në Muzeun Britanik të Londrës. Vazot greke, afresket romake dhe shumë vepra të artit bashkëkohor që përshkruajnë historitë e frymëzuara nga Troja, janë ekspozuar krahas artefakteve arkeologjike që datojnë nga Epoka e Bronzit të Vonë. Ajo që del qartë nga ekspozita është sesa shumë njerëz të etur ka pasur gjatë historisë, për të gjetur disa të vërteta në rrëfimin për Luftën e Trojës. Romakët shkuan aq larg sa ta paraqesin veten si pasardhës të trojanëve të mbijetuar. Në poemën e tij “Eneida”, Virgjili shkruan sesi heroi Eneu shpëtoi nga kështjella e djegur me një grup ndjekësish, pasi grekët hynë me kalin e tyre prej druri. John Dryden, Poeti i parë Laureat i Anglisë, e përktheu në mënyrë të shkëlqyeshme pjesën kur u bë kali: “Grekët u lodhen nga lufta e mërzitshme/ dhe, me ndihmën e Minervës, një strukturë ndërtuan/ që u shfaq si një kalë me lartësi monstruoze”. Eneu dhe burrat e tij u nisën për të gjetur një shtëpi të re në Itali.

Nuk është për t’u habitur sesi njerëzit kanë qenë të bindur për realitetin e Luftës së Trojës. Realitetet e pamëshirshme të betejës janë përshkruar me aq përkushtim në “Iliadë” saqë është vështirë të besohet se ato nuk bazoheshin në vëzhgime. Një ushtar vdes nga uji dhe “ngjalat e peshqit u sollën rreth tij, duke u ushqyer dhe gllabëruar dhjamin përreth veshkave të tij”. Akili shpon me shtizë Hektorin, “në gurmaz, aty ku jeta e një njeriu shkatërrohet më shpejt”, siç e përktheu Martin Hammond. Edhe Troja, po ashtu, është portretizuar me ngjyra aq gjalla në epikë saqë një lexues nuk mund të rezistojë pos të transportohet në muret e saj madhështore.

Në fakt, ishte perspektiva e rizbulimit të Trojës së Homerit ajo që e shtyu biznesmenin e pasur prusian, Heinrich Schliemann, të udhëtonte në shekullin XIX në atë që sot është Turqi. Duke i thënë për një vendndodhje të mundshme të qytetit në Hisarlik, në bregun perëndimor të Turqisë moderne, ai nisi të gërmojë dhe të zbulojë një numër të madh të thesareve antike, shumë prej të cilave tani janë shfaqur në Muzeun Britanik. Edhe pse fillimisht ia atribuoi shumë gjetje Epokës së Bronzit të Vonë – periudha në të cilën Homeri e vendosi Luftën e Trojës – e pasi ato në fakt ishin shekuj më të vjetra, ai e kishte gërmuar vendndodhjen e saktë. Shumica e historianëve tani pajtohen se Troja e lashtë gjendet në Hisarlik. Troja ishte e vërtetë.

Dëshmitë për zjarrin dhe zbulimi i një numri të vogël shigjetash në shtresën arkeologjike të Hisarlikut, që korrespondojnë me datën e periudhës së Luftës së Trojës të Homerit, mund të lënë të merret parasysh edhe lufta. Gjithashtu, mbijetojnë shkrimet e bëra nga hititët, nga popull i lashtë i vendosur në Turqinë e tashme qendrore, që e përshkruajnë një mosmarrëveshje për Trojën të cilën ata e njihnin si “Vilusa”. Megjithatë, asnjë nga këto nuk paraqesin dëshmi për Luftën e Trojës. Por, për ata që besojnë se ka pasur konflikt, këto të dhëna janë të mirëseardhura.

Një Luftë historike e Trojës do të kishte qenë krejt ndryshe nga ajo që mbizotëron në epikën e Homerit. Është e vështirë të imagjinohet një luftë që zhvillohet në nivelin të cilën e përshkruan poeti, dhe që zgjat ashtu për 10 vjet (kur kështjella ishte mjaft kompakte, siç e kanë zbuluar arkeologët). Sjellja e ushtarëve në luftën e Homerit, megjithatë është shumë njerëzore dhe reale. Ndaj, gjenialiteti i Homerit ishte ta ngrinte konfliktin universal në diçka më të thellë, në mënyrë që të nxirrte në pah realitetet e luftës. Nuk do të kishte zotëra që të ndikonin në rrjedhën e veprimit në një fushëbeteje të Epokës së Bronzit, por burrat që e panë veten të pushtuar nga një grindje e përgjakur, do të mund ta imagjinonin se ata ishin aty kur batica u kthye kundër tyre. Homeri kapi të vërtetat e përjetshme në momentet më fantastike të poemës.

Grekët e panë trashëgiminë e Luftës së Trojës si shpjegim për botën e përgjakshme dhe inferiore në të cilën jetuan. Akili dhe Odiseja kishin jetuar në një epokë heronjsh. Koha e tyre tashmë ka perënduar, duke lënë pas tërë atë etjen për gjak, por asnjë nga heroizmat apo përsosmëritë luftarake të Luftës së Trojës. Edhe ngjarjet e pasluftës ishin plot me dhunë. Në një shfaqje të frymëzuar nga Homeri, e të përkthyer nga Louis MacNeice, tragjiku grek Eskili e përshkroi pasluftën ku Klitemnestra vret burrin e saj, Agamemnonin, “i cili, pa shpirt, sikur të ishte koka e një deleje/ sikur të nxirrej nga një kope e madhe/ e sakrifikoi vajzën e tij”, Ifigjeninë, për të kënaqur një perëndeshë në mënyrë që të mund të kishte erë të mirë për udhëtimin e tij për në Trojë.

Pa marrë parasysh sesa ndërlidhet me faktin, miti i Luftës së Trojës pati ndikim të madh tek grekët e lashtë dhe tek ne; pavarësisht nëse ishte frymëzuar nga një luftë e zhvilluar shumë kohë më parë, apo ishte thjesht një shpikje e zgjuar, ajo la gjurmë në botë dhe mbetet e tillë – me rëndësi monumentale historike.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 27 Janar, 2020 22:52

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.