Administrimi i zgjedhjeve në kohë PANDEMIE..

Administrimi i zgjedhjeve  në kohë PANDEMIE..

Shkruan enkas për #Flaka: Prof.dr.Subhi JAKUPI

Administrimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në RMV (15, korrik 2020) në kohë PANDEMIE – sfidë e institucioneve zyrtare dhe akterëve politik

Mbështetja e procesit demokratik të zgjedhjeve është një çështje që ndihmon në zhvillimin e shtetit, avansimin e standardeve shoqërisë dhe demokratizimin e institucioneve përfaqsuese. Që të administrojmë zgjedhje të rregullta, të lira dhe demokratike nevojitet përfshirje e një  numri të madh i njerëzve, e ku të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre në procesin zgjedhor dhe të japin llogari për veprime e veta në bazë të rregullave zgjedhore (ligjit). Autoritetet shtetërore duhet pasur kujdes edhe në administrimin financiar duke pasur për bazë përballjen me mjete që i ka në dispozicion. Zgjedhjet e sukseshme arrihen me anë të një administrate të plotsuar profesionale, të trajnuar mirë e në veçanti duke respektuar protokollet e mënyrës së votimit të parapara në kohë pandemie dhe duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e procesit që ato administrojnë.

Katër elemente që duhet plotsuar për administrim të zgjedhjeve, edhe ate:

– rregullativa zgjedhore e qartë dhe e zbatueshme për të suguruar zgjedhje të lira dhe të drejta;

–  administrat zgjedhore (organet zgjedhore) autonome;

– procedurë zgjedhore që garantonë barabarsi (gjinore, racore etj), e njëkohësisht mundësi e ushtrimit të votimit të lirë dhe pa frikë;

– zgjedhësit (elektorati) që janë të vetëdijshëm për të drejtat dhe përgjegjësitë e veta.

Për të administruar mirë procesin zgjedhore të një vëndi duhet të keshë njohuri për rrethanat historike dhe kulturore të vëndit në fjalë, situatës financiare dhe politike dhe nivelit të arsimimit të zgjedhësve. Përvojat dhe standardet botërore na japin të dhëna që shpenzimet e zgjedhjeve në vendët me demokracitë e zhvilluara janë prej 4 deri më 6 dollarë Amerikan për votues (Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka 1.817.023 votues x 6 dollarë=10.902.138,00 dollarë) mund të jetë kostoja e zgjedhjeve. Në një administrim të mirfilltë të zgjedhjeve duhet një bashkpunim i sinqerë në mes institucioneve shtetërore përgjegjëse, administratës (organeve) zgjedhore, partive politike, organizatave joqeveritare të vëndit dhe ato vëzhguese ndërkombëtare.

Sa jemi të përgatitur të plotsojmë Kriteret e Kopenhagenit (kriteret politike, ekonomike dhe legjislativ – “acquis”) ku ato janë rregullat që përcaktojnë nëse një vënd ka të drejtë të anëtarësohet na Bashkimin Evropian, ku ato kërkojnë që një shtet të ketë institucionet për të ruajtur qeverisjen demokratike dhe të drejtat e njeriut, të ketë një ekonomi funksionale të tregut dhe të pranojë detyrimet dhe qëllimin e BE-së. Komisioni Evropian, OSBE/ODHIR dhe Këshilli i Europës, ndikojnë në krijimin e politikës zgjedhore dhe vendosin rregulla sipas të cilave matet zhvillimi i zgjedhjeve të sukseshme si të lira, korekte dhe demokratike, të tilla janë: “Kodi për sjellje të mirë dhe praktika në procesin zgjedhor” të Komisionit të Venedikut, dokumenti i Kopenhagenit të OSBE-së (viti 1990), Karta e Parisit nga viti 1990 dhe dokumente tjera të OSBE-së lidhur me standardet zgjedhore.

Prandaj duhet shmangur parregullsive zgjedhore që kanë qenë recidiviste në ciklet e kaluara zgjedhore tek vendi ynë, edhe ate: mbushja e kutive të votimit, vjedhja e fletëvotimeve në vendvotim, nënshkrimi i më shumë zgjeshësve në listën e zgjedhësve nga një person, votimi i një personi në emër të tjetërit, presion dhe dëbim të detyruar të vëzhguesve dhe anëtarëve të këshillave zgjedhor nga vendvotimi, friksimi i anëtarëve të këshillave zgjedhore, mospërputhje e numrit të rrethuar dhe numrit të listës së nënshkruar të votuesve me numrin e fletëve të votimit që gjenden në kutinë e votimit, procesverbale të panënshkruara për votim ose të falsifikuara, votimi familjar, blerja e votës, votimi i quajtur “treni Bullgar”, shkelja e fshehtësis së votimit, etj.

Kundër të gjithave parregullsive të potencuara më lartë sistemi juridik  në Republikën e Maqedonisë së Veriut parasheh mekanizëm të caktuar  për mbrojtjen e të drejtës zgjedhore dhe sigurimin  korekt dhe demokratik të procesit zgjedhor, siç është procedura për mbrojtjen e të drejtave zgjedhore e cila udhëhiqet para organeve zgjedhore  që janë kompetente  për sigurimin  ligjëshmërisë të procesit zgjedhorë.  Në lidhje me vendimet e organeve zgjedhore të parapara me mbrojtje gjyqësore të drejtave zgjedhore të cilat sigurohen  nëpërmjet Gjykatës administrative. Gjithashtu, mekanizëm i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave zgjedhore është procedura kundërvajtëse e cila zhvillohet pranë gjykatave të rregullta. Ky kontekst është me rëndësi të veçantë dhe përgjigja juridiko-penale e parregullsive zgjedhore, i cili gjithashtu është edhe forma  mbrojtjese gjyqësore  e të drejtave zgjedhore.

Kodi penal i Republikës së Maqedonisë së Veriut parasheh njëmbëdhjet vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votimit:

 – Pengimi i zgjedhjeve  dhe votimit ( neni 158);

 – Shkelja e të drejtës zgjedhore  ( neni 159 );

 – Shkelja e lirisë së përcaktimit të   votuesëve  ( neni 160 );

 – Keqëpërdorimi i të drejtës zgjedhore ( neni 161 );

 – Ryshfeti gjat zgjedhjeve dhe votimit ( neni 162 );

 – Shkelja e fshehtësisë së  votimit  ( neni 163 );

 – Shkatrrimi i dokumenteve zgjedhore ( Neni 164);

– Mashtrimi  zgjedhor ( neni 165 );

– Keqpërdorimi i mjeteve  për  finacim të fushatës zgjedhore ( neni 165 a );

– Imponim i detyrueshëm  i dënimit ndalim për  kryerjen e profesionit veprimtarisë ose detyrës ( neni 165 – b );

– Disponimi kunërligjor me mjetet e buxhetit gjat kohës së zgjedhjeve (neni 165- c).

 Këto vepra janë sistematizuar  në kapitullin e veçantë  (Kapitulli i gjashtmbëdhjet) në Kodin penal të RMV, i cili  e mban titullin  “Vepra penale  kundër  zgjedhjeve dhe votuesit” dhe ajo që duhet potencuar se me këto vepra penale parashihen dënime efektive me burg deri më 10 -dhjetë vjet heqie lirie. Objekti i përbashkët grupor i mbrojtjes së veprave penale kundër zgjedhjeve  dhe votimit  është  sistemi zgjedhor i cili paraqet  shumën e parimeve  dhe procedurave  me të cilat  duhet të sigurohen zgjedhje demokratike të lira të paanëshme, të fshehta,  që është vlera themelore e rendit kushtetues në Republikën e  Maqedonisë së Veriut.

Meqë demokrcia e një vendi matet sa zgjedhjet plotsojnë standardet demokratike të lartshënuara, prandaj duhet kuptuar se zgjedhjet që do të mbahen në korrik të këtij viti në Maqedoninë e Veriut janë mëse të rëndësishme të administrohen mirë nga institucionet zyrtare në bashkpunim me akteret aktiv politik duke llogaritur në drejtimin që ka vendi ynë, edhe ate antarësimin në BE.

 

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 29 Qershor, 2020 15:17

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

Marketing politik