Afganistan, njerëzit e varfër luten për bukë para furrave të bukës

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 8 Nëntor, 2021 20:48

Afganistan, njerëzit e varfër luten për bukë para furrave të bukës

Të varfrit, që nuk kanë mundësi të blejnë bukë, kërkojnë bukë nga klientët që vijnë në furrat e bukës, duke pritur me orë të tëra.

Rritja e problemeve ekonomike në Afganistan ka përkeqësuar më tej gjendjen e njerëzve që po luftojnë me varfërinë. Pamjet e Anadolu Agency tregojnë se shumë njerëz në vend janë të privuar nga ushqimet bazë.

Të varfrit, që nuk kanë mundësi të blejnë bukë, kërkojnë bukë nga klientët që vijnë në furrat e bukës, duke pritur me orë të tëra.

Pushtimi sovjetik i Afganistanit në vitin 1979, më pas grupet ndërluftuese të muxhahedinëve, lufta kundër talebanëve në vitet e fundit dhe pushtimi 20-vjeçar i SHBA-së kontribuan në përkeqësimin e ekonomisë së vendit.

Si rezultat i pothuajse 40 viteve të paqëndrueshmërisë, ekonomia afgane ka prekur fundin. Njerëzit kanë vështirësi të mëdha për të plotësuar nevojat e tyre themelore.

Pavarësisht se shqetësimet e sigurisë janë zbutur që kur talebanët morën kontrollin e vendit më 15 gusht, ekonomia e vendit është ndikuar negativisht nga konfiskimi i parave afgane në bankat ndërkombëtare nga SHBA-ja dhe nga fakti se administrata talebane akoma nuk është njohur zyrtarisht në nivel ndërkombëtar.

Situata e keqe ekonomike në Afganistan dita e ditës po shton numrin e të varfërve në vend.

Pavarësisht motit të ftohtë, të varfrit me orë të tëra presin para furrave të bukës me shpresën se ndonjë klientë do t’u japë bukë.

“Nuk kemi ushqim në shtëpinë tonë”

Shekiba Shukur tha se pret para furrës së bukës rreth 3 orë në ditë.

“Burri im është me aftësi të kufizuara. Unë kujdesem për familjen time 11-anëtarëshe. Unë pres këtu çdo natë për 11 bukë. Disa nga klientët na japin bukë, disa jo. Jetojmë në tenda. Hamë bukë në mbrëmje, në mëngjes pimë çaj pa bukë”, tha Shekiba.

Duke theksuar se fëmijët e saj po presin bukën në tendën e ftohtë, Shekiba tha se në shtëpinë e tyre nuk ka ushqim, dimri po vjen dhe se nuk kanë shpresë tjetër përveç All-llahut.

“Po pres bukën këtu, sepse e kam patjetër”

Feride Shahzade, e cila punon si kuzhiniere në një shkollë, tha se paga e saj nuk është e mjaftueshme për të jetuar, kështu që në mbrëmje ajo pret para furrës së bukës për të siguruar bukë.

“Jetoj në Kabul. Kam gjashtë fëmijë, nuk kam burrë. Pres para furrës për të gjetur bukë. E mbaj familjen time e vetme. Punoj si kuzhiniere në shkollë. Paga që marr nuk mbulon qiranë dhe shpenzimet e fëmijëve të mi. Jam duke pritur këtu për bukë, sepse e kam patjetër”, u shpreh ajo.

Mava Nijazi theksoi se nuk janë lypës dhe se janë duke pritur para furrës, sepse janë në gjendje të vështirë.

“Të gjithë ata që presin këtu kanë probleme ekonomike. Ne nuk jemi lypës. Me ardhjen e talebanëve në pushtet, njerëzit janë papunë. Dhe ata që kanë një punë nuk mund të marrin paga. Tashmë katër muaj nuk mund të paguajmë qiranë e shtëpisë. Bukën e thatë që marr prej këtu e hamë me çaj ose ujë. Fëmijët e mi nuk kanë ushqim apo veshje. Ne përpiqemi të jetojmë me bukë të thatë”, tha Mava Niyazi.

Bukëpjekësi nga Kabuli, Metinullah Safiji, tha se dita ditës po rritet numri i personave që lypin bukë para furrës së tij.

“Situata ekonomike në Afganistan është shumë e keqe. Kemi njerëz shumë të varfër. Çdo ditë ata ulen para furrës dhe kërkojnë nga klientët t’u japin bukë. Këtyre njerëzve u jap 50-60 bukë në ditë. Për një kafshatë buke në këtë mot të ftohtë ulen para furrës me orë të tëra. Gjendja e tyre financiare është shumë e keqe. Kjo skenë pasqyron situatën në Afganistan. Numri i këtyre personave është rritur në 3 muajt e fundit. Nuk ishte kështu më parë”, u shpreh Safiji.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 8 Nëntor, 2021 20:48

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare