Ahmeti dhe Rama morën pjesë në promovimin e librit të Enver Hoxhajt

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 20 Qershor, 2022 21:39

Ahmeti dhe Rama morën pjesë në promovimin e librit të Enver Hoxhajt

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti së bashku me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama sot në Prishtinë kanë marrë pjesë në promovimin e librit të ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj me titull “Përplasja e madhe”.

“Momente si këto janë ideale për promovim të veprave si kjo sot e Enver Hoxhajt, pasiqë është mirë të kthehemi e të kujtojmë atë që po kalojmë që të kemi një të ardhme më të ndritur dhe më të sigurt. Unë sot kisha nderin që të marrë pjesë në promovimin e një vepre që flet për luftën hibride të Rusisë kundër Kosovës dhe Ballkanit, përvojat dhe situatat e ndryshme që i ka përshkruar gjatë kohës sa ka drejtuar diplomacinë kosovare e që lidhen me luftën e Rusisë kundër Kosovës. ‘Përplasja e madhe – Si po e lufton Rusia – Kosovën dhe Ballkanin’, përshkruan qartë kohën e pasigurisë në të cilën gjenden jo vetëm vendet tona por edhe mbarë rajoni e më gjerë, e për këtë duhet marrë mësim që e ardhmja jonë të bëhet më e sigurt duke punuar bashkë në rrugën evropiane”, ka thënë Ahmeti.

“Libri i shkruar nga miku Enver Hoxhaj, mendimet e të cilit janë një pasuri e jetës publike shqiptare dhe pikë referimi për kohën që po kalojmë…”, ka shkruar në Fejsbuk nga ana tjetër kryeministri Rama.

Libri flet për, siç thuhet në parathënien e tij, “Luftën hibride të Rusisë kundër Kosovës dhe Ballkanit”, si dhe për përvojat dhe situatat e ndryshme me të cilat është përballur Hoxhaj gjatë kohës sa ishte ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe që “ndërlidhen me luftën e Rusisë kundër Kosovës”.

Hoxhaj aktualisht është nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e opozitares Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme për dy mandate – nga viti 2011 deri në vitin 2014, në qeverinë e udhëhequr nga Hashim Thaçi dhe në vitet 2016-17 kur kryeministër ishte Isa Mustafa.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 20 Qershor, 2022 21:39