Airbus me dizajn revolucionar për aeroplanët e së ardhmes

Airbus me dizajn revolucionar për aeroplanët e së ardhmes

Prej viteve të 50-ta të shekullit të kaluar kur filluan fluturimet komerciale me aeroplan, shumë gjëra kanë ndryshuar, duke filluar nga ulëset dhe procedurat e sigurisë e deri te shpejtësia e arritjes në destinacion.

Mirëpo, një gjë ka qenë konstante gjatë gjithë kohës, pra dizajni i aeroplanëve që nga ajo kohë ka mbetur pothuajse i njëjtë, ashtu siç duken aeroplanët e ditëve të sotme. Prodhuesi evropian i aeroplanëve Airbus ka ndërmend të bëjë një ndryshim në këtë drejtim.

Prototipi i tyre më i ri Maveric do ta ndryshojë në tërësi mënyrën e udhëtimit me aeroplan. Idea që është shfrytëzuar për këtë aeroplan nuk është e re pasi ajo është zbatuar në aeroplanët ushtarak, konkretisht në bombarderin B2. Fjala është për Delta dizajnin e krahëve, me ndihmën e së cilit Airbus synon që të reduktojë shpenzimet e karburantit me 20%. Aktualisht ky aeroplan ekziston vetëm si prototip me dimensione të zvogëluara i cili u prezantua ne Air Showin e Singaporit.

Maveric është shkurtesa e fjalisë ‘’Model Aircraft for Validation and Experimtation of Robust Innovative Controls’’. Dizajni është i tillë që krahët dhe trupi i aeroplanit përbëjnë një tërësi dhe një gjë e tillë do të ndikojë dukshëm në performancën e tij gjatë fluturimit. Në industrinë në të cilën edhe 1 apo 2% përparim në fushën e kursimit të karburantit konsiderohet rezultat i shkëlqyeshëm, kursimi i kalkuluar prej 20% paraqet një revolucion të vërtetë. Pasi që motorët janë të pozicionuar mbi krahët e aeroplanit, edhe zhurma gjatë fluturimit është më e vogël. Pos kësaj ky dizajn do të mundësojë implementimin e motorëve hibrid madje edhe të atyre tërësisht elektrik që në shtigje të gjata do të sigurojnë kursime shtesë për aviokompanitë. Në anën tjetër ky aeroplan do të ketë më pak ulëse afër dritareve, por do të ketë komoditet dhe hapësirë më të madhe, pasi pritet që ai ti zë deri 400 udhëtarë.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 28 Shkurt, 2020 22:47

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.