Akademia e Shkencave mbledh ekspertët rajonalë për çështjet sizmike

Desk
By Desk January 10, 2020 20:05

Akademia e Shkencave mbledh ekspertët rajonalë për çështjet sizmike

Akademia e Shkencave (ASH) organizoi sot në Tiranë, takimin rajonal me ekspertë nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Italia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut me temë: “Mbi problemet aktuale sizmike dhe mbrojtjen nga tërmeti”.

Kryetari i ASH-së, Skënder Gjinushi falënderoi pjesëmarrësit në takimin konsultativ rajonal e ndërinstitucional për probleme aktuale të sizmikës dhe mbrojtjen nga tërmetet, nëpërmjet ndërtimeve rezistente e të qëndrueshme, konform standardeve evropiane dhe forcimit të atyre ekzistuese.

“Siç dihet Shqipëria përjetoi dy tërmete të fuqishme të njëpasnjëshme, i dyti me forcë shkatërrimtare. Ato ishin një dëshmi e asaj, që njihet prej kohësh, prej specialistëve e qendrave sizmologjike të rajonit e më gjerë që territori ynë është një territor i kërcënuar me një rrezikshmëri të lartë të përjetimit të goditjeve sizmike me fuqi mbi 6, të shkallës Rihter, çka shoqërohet me shkatërrime e dëme materiale e deri njerëzore”, – tha Gjinushi.

Instituti ynë i Gjeologjisë e Sizmologjisë, vijoi ai, në bashkëpunim edhe me homologë të rajonit, ka kryer ndër vite, një sërë studimesh në këtë drejtim, ku kryesori është ai i paraqitur nga profesorët tanë të nderuar Shyqyri Aliaj, Siasi Koçiu, Betim Muço dhe Eduard Sulstarova.
Gjinushi theksoi se, tërmetet vërtet nuk mund të parashikohen, por nëpërmjet studimeve më të thelluara shkencore, zbatimit të tyre, disiplinimit të ndërtimeve bazuar në Eurokodet e normat e reja, janë masa parandaluese.

Tërmetet e fundit, e pasojat e tyre treguan edhe një herë nevojën e mbështetjes së Institucioneve shkencore në këto fusha si dhe forcimit të bashkëpunimit midis tyre me homologët rajonal si dhe domosdoshmërinë e bërjes detyrues të zbatimit të rezultateve të tyre.

“Tërmeti i fundit shtroi dy detyra kryesore: një ndaj qeverisë për rimëkëmbjen dhe rindërtimin e zhdukjen e pasojave; e dyta ndaj institucioneve kërkimore e shkencore, për thellimin e studimeve dhe nxjerrjen e akteve për garantimin e adaptimit të Eurokodit në ndërtimet e reja dhe forcimin e ekzistueseve. ASH mbështetur në studimin e profesorëve të nderuar, në faktin se ende tek ne punohet me studime të mëparshme, se ende standardet Europiane në ndërtim nuk janë bërë detyrues me ligj, si pjesë edhe e Komitetit të Rindërtimit, ka ngritur një njësi me prof. Shyqyria Aliaj, në drejtim”, – tha Gjinushi në fjalën e tij.

Ai theksoi se, qëllimi është mundësimi i bërjes efektiv e detyrues të rezultateve të arritura, për ngritjen e standardit kombëtar për projektimin e strukturave rezistente ndaj tërmetit bazuar në Eurokodet.

“Sigurisht futja e plotë e Eurokodeve është një proces më i gjerë e kërkon bashkëpunim e përfshirjen e të gjithë institucioneve kryesore të vendit. Prandaj krahas mbështetjes për punën e njësisë, ne dëshirojmë të luajmë një rol koordinues të këtë ndërmarrje të madhe të përbashkët, jo vetëm me institucionet tona, por në bashkëpunim edhe me ato të rajonit, të cilat duhen falënderuar për gatishmërinë e treguar deri më tani, në ndihmën e dhënë për përballimin e situatës së pas tërmetit”, – u shpreh kreu i ASH-së.

“Qëllimi është që të përcaktohen sa më qartë detyrat e çdo institucioni, studimet, aktet që duhen kryer në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për çdo ngjarje në të ardhmen.
Për këto arsye e zhvillojmë këtë takim, ku pas paraqitjes së punës së njësisë, nga prof. Aliaj, se cilat duhet të jenë hapat dhe masat për futjen e Eurokodit 8, jeni të lutur e mirëpritur për të kontribuar në mendimet e përvojat tuaja, e veçanërisht në lidhje me nevojën e një konference të përbashkët në tetor 2020, tematikën e saj, modalitetet, përbërjen e komitetit organizativ”, – tha Gjinushi.

Artan Shkreli, zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, tha se takimi i Akademisë së Shkencave vjen në kohë reale, pas tërmetit katastrofik të nëntorit.

“Ky tërmet na tregoj se në përgjithësi shkenca e teknikës së konstruksionit ka qenë teknologji e vlefshme. Pasi objektet e rregullta i kanë rezistuar fuqisë së tërmetit, ndërsa objektet që janë dëmtuar nuk i janë nënshtruar rregullave dhe lejeve përkatëse të ndërtimit, pra kanë qenë në kushtet e abuzivizmit. Por na tregoj se asnjëherë nuk jemi të mjaftueshëm për sa i përket masat që duhet marrë post tërmetit”.

Ndaj, vijoi Shkreli, jemi sot këtu me ekspertët e të gjitha fushave, në këtë takim sepse kërkohet një riazhornim i të gjitha hartave gjeologjike, i rajonizimit sizmik deri në detaje, i  aplikimit të eurokodeve dhe rritja e standardit të emergjencave civile për një veprim më efikas në këto raste”. /ATSh

Desk
By Desk January 10, 2020 20:05