Aksidentet më vdekjeprurëse në 10 vitet e fundit në Evropë

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Nëntor, 2021 13:05

Aksidentet më vdekjeprurëse në 10 vitet e fundit në Evropë

Aksidenti vdekjeprurës i cili rezultoi me vdekjen e 46 personave pasi një autobus me targa të Maqedonisë së Veriut u përplas më 23 nëntor me barrierat në autostradën “Struma” në perëndim të kryeqytetit bullgar Sofje, ka sjellë në mendje aksidentet e tjera vdekjeprurëse në Evropë.

Anadolu Agency (AA) ka përpiluar aksidentet e rënda të trafikut që kanë ndodhur kohët e fundit në kontinentin evropian, si dhe zhvillimet lidhur me to.

Sipas raportit të vitit 2019 të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për “situatën rajonale evropiane lidhur me sigurinë e rrugës”, gjatë vitit 2016 në aksidentet e trafikut në Evropë kanë humbur jetën 80.559 persona dhe supozohet se kjo përbën 6 për qind të vdekjeve globale në aksidentet e trafikut rrugor.

Në raport thuhet se rajoni evropian ka pasur shkallën më të ulët të vdekjeve nga aksidentet e trafikut me 8,8 fatalitete për 100 mijë banorë, ndërsa shkalla globale është rritur në 18,2.

Sipas raportit, normat e vdekjeve në aksidentet e trafikut në Bullgari, ku ndodhi aksidenti i fundit, janë mbi normën e Rajonit Evropian të OBSH-së, ndërsa kjo normë në Maqedoninë e Veriut ka mbetur nën normën e rajonit.

Edhe pse vendet zbatojnë rregulla të rrepta për të parandaluar aksidentet e trafikut, vërehet se në shumicën e rasteve këto praktika shkelen.

Ndërkaq, ndër arsyet e aksidenteve mund të renditen nga më të ndryshmet, duke filluar nga gabimet njerëzore e deri tek problemet teknike.

Pavarësisht se që nga viti 2006 në Bashkimin Evropian (BE) vendosja e rripit të sigurisë është i detyrueshëm në çdo mjet, në aksidentin e një autobusi në vitin 2012 në Zvicër, ku humbën jetën 28 persona, përfshirë 22 fëmijë, u zbulua se rripi ka siguruar pak mbrojtje.

Një tjetër problem është se kompanitë e autobusëve përdorin një shofer të vetëm në udhëtimet disaditore me autobus dhe lodhja del në plan të parë si një nga arsyet më të mëdha të aksidenteve të trafikut.

Disa aksidente me numër të madh të vdekjeve që kanë ndodhur në vendet e Evropës gjatë viteve 2011-2021 radhiten si më poshtë:

– Mars 2012

Autobusi me nxënës belgë që ktheheshin nga pushimet e skijimit në Zvicër u aksidentua në Sierre. Si pasojë humbën jetën 28 persona, 22 prej të cilëve ishin fëmijë. Në autobusin me gjithsej 52 persona shpëtuan të lënduar 24 njerëz.

– Tetor 2015

Në aksidentin si pasojë e përplasjes së një autobusi me një kamion në rajonin Libourne në afërsi të qytetit Bordeaux të Francës humbën jetën 43 persona.

– Janar 2017

Autobusi i udhëtarëve që transportonte të rinj hungarezë nga Franca në drejtim të kryeqytetit të Hungarisë, Budapest, u përfshi nga flakët pasi u përplas me shtyllën e një ure në daljen lindore të qytetit Verona në veri të Italisë. Si pasojë humbën jetën 16 persona që u bllokuan në autobus dhe u lënduan 10 të tjerë. Në autobus ndodheshin 55 persona të moshave 14 deri në 18 vjeç.

– Korrik 2017

Të paktën 18 persona humbën jetën duke u djegur, ndërsa 30 të tjerë u lënduan, shumica në gjendje të rëndë, në një aksident që ndodhi si pasojë e përplasjes së një autobusi udhëtarësh me një maune në Oberfranken në rajonin e Bavarisë në Gjermani.

– Tetor 2017

Një tren që udhëtonte nga Shën Petersburgu në qytetin Nijniy Novgorod të Rusisë u përplas me një autobus me targa të Kazakistanit. Si pasojë humbën jetën 16 persona, përfshirë një fëmijë, dhe u lënduan 5 të tjerë.

– Gusht 2018

Në Bullgari, si pasojë e aksidentit të një autobusi në destinacionin Sofje-Svoge, humbën jetën 16 persona dhe u lënduan 27 të tjerë. Në autobus ndodheshin shoferi dhe 33 udhëtarë.

– Shkurt 2019

15 persona humbën jetën dhe rreth 30 u lënduan në një aksident trafiku pasi një autobus pasagjerësh doli nga rruga dhe u përmbys në autostradën Shkup-Tetovë në Maqedoninë e Veriut.

– Mars 2019

Në aksidentin e ndodhur si pasojë e përmbysjes së një autobusi në ishullin Madeira, një prej qendrave turistike të Portugalisë, humbën jetën 29 persona nga 50 që ndodheshin në autobus. Gjithashtu u lënduan rreth 20 nga turistët, shumica shtetas gjerman.

– Dhjetor 2019

19 persona humbën jetën dhe 22 të tjerë u lënduan në aksidentin kur një autobus me 41 udhëtarë u përmbys në lumin Kuenga në rajonin Transbaikal në jug të Siberisë në Rusi.

– Nëntor 2021

Nga aksidenti i ndodhur me 23 nëntor nga përplasja e një autobusi me targa të Maqedonisë së Veriut në barrierat në autostradën “Struma” në perëndim të kryeqytetit bullgar Sofje, humbën jetën 46 persona dhe 7 të tjerë shpëtuan të lënduar.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Nëntor, 2021 13:05

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare