Aksidenti i Llaskarcës, ekspertët: Vendimi rreth paraburgimit është ligjor

Desk
By Desk 26 Prill, 2019 19:13

Aksidenti i Llaskarcës, ekspertët: Vendimi rreth paraburgimit është ligjor

Ekspertët juridikë, Qebir Avziu dhe Gordan Kallajxhiev, e vlerësojnë si ligjor vendimin e gjykatësit në procedurë paraprake për zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak për shoferin dhe pronarin e Kompanisë “Durmo Turs” të dyshuar për fatkeqësinë e Laskarcës. Avziu sqaron se në bazë të ligjit, kompetencë për të vendosur ka gjykatësi në procedurë paraprake.

“Gjykatësi është ai që është kompetent për caktimin apo moscaktimin e paraburgimit dhe jo prokurori. Ai mund vetëm të propozojë të caktohet. Nën ndërkohë nëse nuk caktohet, në fakt gjykata është e mendimit që nuk duhet të caktohet, atëherë prokurorit i mbetet që vetëm të parashtrojë ankesën dhe me këtë rast lënda shkon tek një shkallë më e lartë, te Këshilli Gjyqësor, i cili merr vendim. Për rastin konkret që ju jeni të interesuar, ka vendosur gjykata dhe caktimi i arrestit shtëpiak, në fakt ndërprerja e paraburgimit, është e ligjshme, sepse vetë gjykata ka caktuar kështu, sepse ligji këtë kompetencë ua ka dhënë gjykatësve dhe jo prokurorit publik”,- tha eksperti juridik, Qebir Avziu.

Sipas Gordan Kallajxhievit, edhe pse lënda akoma është në hetim, kjo nuk e pengon gjykatësin që të vendosë rreth paraburgimit. Ai tha se paraburgimi është masa më e rreptë për sigurimin e të dyshuarve që shumë shpesh përdoret në vendin tonë. Sipas tij, në vendin tonë paraburgimi shihet si dënim para dënimit.

“Paraburgimi, sipas Ligjit por edhe sipas standardeve evropiane, është masa më e rëndë. Nuk e di se pse gjykatat tona nuk e zbatojnë garancinë dhe kjo është e çuditshme, sepse është normale që të dyshuarit të sigurohen edhe me masa të tjera. Posaçërisht për këtë lloj të veprës penale, siç është fatkeqësia në komunikacion, paraburgimi është vendim shumë i ashpër, sepse nuk bëhet fjalë për krim në plotkuptimin e fjalës dhe nuk ka ndonjë rrezik real që vepra të përsëritet apo të mbarohet. Në këtë rast të rralla janë rreziqet nga arratisja dhe ndikimi mbi dëshmitarët”,- deklaroi ekspertja juridike, Gordan Kallajxhiev.

Nga gjykata njoftojnë se vendimi nuk është i plotfuqishëm dhe se ankesa e dërguar nga Prokuroria do të shqyrtohet nga trupi gjykues ditëve në vijim.

Ndryshe, për aksidentin tragjik të autobusit gjashtë persona ndiqen penalisht për “veprim kundër sigurisë së njerëzve dhe mjeteve në komunikacion”. Sipas Prokurorisë, deri tek aksidenti ka ardhur si pasojë e shpejtësisë së tejkaluar, manipulimit me tahografin dhe defekte në sistemin e frenimit.

Aksidentit ndodhi më 13 shkurt në autostradën Shkup – Tetovë, ku autobusi humbi kontrollin, kaloi tre mbrojtëse rrugore dhe përfundoi i përmbysur në fshatin Llaskarcë. Si pasojë e këtij aksidenti, 16 persona humbën jetën ndërsa rreth 40 të tjerë u lënduan. (Tvm2)

Desk
By Desk 26 Prill, 2019 19:13