Alternativa: Binomi LSDM-BDI të zhytur në krim dhe korrupsion

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 11, 2020 14:04

Alternativa: Binomi LSDM-BDI të zhytur në krim dhe korrupsion

Partia opozitare Alternativa ka drejtuar akuza të ashpra drejt BDI-së dhe LSDM-së se kanë thyer të gjitha normat ligjore duke ndryshuar planin urbanistik të Komunës së Tetovës për ti dhënë leje për ndërtim një personi që sipas kësaj partie ka agjenda anti europiane dhe anti atlantike dhe duke përfituar një biznese me fitim që kalon 200 milionë euro, transmeton INA.

AA ka hedhur me këtë rast dyshime për korrupsion nga menaxhmenti i Komunës së Tetovës. Kjo parti për personin që ka përfituar leje për ndërtim pyet se mos vallë ky ka qenë kumbara i koalicionit për qeverisje të përbashkët mes BDI-së dhe LSDM-së.

“Ditëve të fundit në opinion dolën informacione se Komuna e Tetovës, e menaxhuar nga BDI dhe LSDM, vetëm një ditë pasi që u votua qeveria e re (më 31 gusht 2020) e ka ndryshuar Planin Detal Urbanistik, duke mundësuar një ndërtim që do ta ketë fitimin jo më pak se 200 milionë euro. Duke e pasur një informacion të këtillë dhe duke e ditur se pronari i atij lokacioni është një person i njohur për agjendat antieuropiane dhe antiatlantike, shtrohet pyetja se mos ai ishte kumbara i formimit kësaj qeverie dhe a mos ky ishte çmimi që i bëri bashkë ata që gjatë fushatës parazgjedhore e shanin njëri-tjetrin?, thonë nga partia Alternativa.

Përveç kësaj, nga AA pyesin publikisht kryetaren e Komunës së Tetovës znj. Teuta Arifi se kush është përfituesi më i madh i këtij biznesi dhe kujt i shërben ky biznes?

“Ajo dhe stafi i saj duhet t’i përgjigjen opinionit se për çfarë çmimi është bërë ky ndryshim, kush janë përfituesit e vërtetë dhe pse Komuna e Tetovës realizon bashkëpunim të këtillë me persona që janë financues të agjendave antieuropiane dhe antiatlantike? A mos ndoshta këto mjete do të shpenzohen për agjenda të këtilla dhe nëse po, çfarë e lidhë këtë qeveri dhe këtë staf drejtues të Komunës së Tetovës me këto agjenda?, thonë nga Alternativa.

Nga kjo parti thonë më tej se nga kjo që ndodhi në Tetovë nuk mund të mos konstatojnë se Qeverisja e binomit LSDM-BDI është e zhytur thellë në krim dhe korrupsion

“Nëse këto janë parimet mbi të cilat do të funksionojë kjo qeveri dhe pushteti i saj lokal në Tetovë, nuk mund të mos konstatojmë se qeverisja e binomit LSDM-BDI është e zhytur thellë në krim dhe korrupsion, ndërsa – më keq se kaq – ajo punon fshehurazi ose publikisht për agjenda që janë kundër interesave strategjike shqiptare dhe shtetërore”, thonë nga Alternativa.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 11, 2020 14:04