Reka: Ndërmjet dy shteteve nuk ka asnjë çështje të hapur

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 29, 2020 11:37

Reka: Ndërmjet dy shteteve nuk ka asnjë çështje të hapur

Mega Intervistë me Ambasadorin e Jashtezakonshem e Fuqiplote të Republikes se Shqiperise ne Republiken e Maqedonise se Veriut, Sh.T.Z. Fatos Reka

Intervistoi: Driton ZENKU

Ndërmjet të dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, nuk ka asnjë çështje të hapur, është kjo një nga konstatimet e Sh.T.Z. Fatos Reka, Ambasador i Jashtezakonshem e Fuqiplote i Republikes se Shqiperise ne Republiken e Maqedonise se Veriut në mega intervistën ekskluzive të dhënë për Agjencinë e Lajmeve FLAKA. Reka flet për një datë kur Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të mund të anëtarësohen në  Bashkimin Europian – BE. Po ashtu, Reka shpreh bindjen që me përfundimin e rrugës së “Arbërit” në pranverën e vitit të ardhshëm, do të krijojë lehtësira të mëdha në lëvizjen e mallrave e njerëzve në të dy anët e kufirit, si dhe do të shkurtojë ndjeshëm distancat e komunikimit ndërmjet të dy vendeve tona.

Këtu, thotë Reka, jam njohur me njerëz shumë të mirë, politikanë, nëpunës, biznesmenë, njerëz të thjeshtë e punëtorë, të të gjitha etnive, me të cilët kam krijuar një komunikim shumë njerëzor e nuk ka se si të jetë ndryshe mes dy vendeve fqinje e mike, pasi na lidhin shumë gjëra të përbashkëta.

Duke folur për qeverinë e re në RMV, ambasadori Reka thotë që shumica parlamentare që mori mandatin qeverisës nga Presidenti Pendarovski ku bëjnë pjesë edhe partitë shqiptare, do të kontribuojë ndjeshëm në mbarëvajtjen e punëve të qeverisë.

Pjesë e intervistës ishin edhe pyetjet rreth ndryshimit të Qeverisë në vitin 2016, si dhe tryeza e rrumbullatët mes partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në intervistë fokusohemi tek zhvillimet politike në Shqipëri, si dhe (mos)marrëveshjen e Detit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Për më tepër, lexoni intervistën e plotë me Ambasadorin Reka

FLAKA: Mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nuk ka çështje të hapura. Si do t’i   vlerësonit raportet mes dy shteteve, tani, që të dyja vendet janë anëtare të NATO-s?

FATOS REKA: Së pari faleminderit për intervistën dhe ju uroj juve dhe lexuesve tuaj, suksese e mbarësi në të gjitha drejtimet.  Është e vërtetë ajo që thoni ju, ndërmjet të dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, nuk ka asnjë çështje të hapur, përkundrazi, marrëdhëniet tona si dy vende fqinje  janë shumë të mira e dëshira jonë është që ato të jenë edhe më të mira. Kjo ilustorhet më së miri nga vizitat e ndërsjella të personaliteteve më të larta të të dy vendeve në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, kontaktet e vazhdueshme në të gjitha nivelet e qeverisjes për bashkëpunim, marrëveshjet e shumta me gamë mbulimi të gjitha aspektet e jetës ekonomike, shoqërore, të sigurisë, kulturës etj., mbledhja e përbashkët e të dy qeverive, si dhe përpjekjet e vazhdueshme për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të nismave rajonale, si “Procesi i Berlinit”, etj. Nga ana tjetër ftesa që të dy vendet tona morën në mars të këtij viti nga Këshilli Evropian për fillimin e procedurave për nisjen e negociatave të antarësimit në BE, i detyron vendet tona që ta forcojnë e thellojnë edhe më shumë bashkëpunimin e ndërveprimin mes tyre. Në kontekstin e marrëdhnieve shumë të mira ndërmjet vendeve tona, kontribut pa dyshim që ka edhe faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, si dhe minoriteti maqedonas në Shqipëri, të cilët shërbejnë si ura lidhëse ndërmjet të dy vendeve tona.

Domethënëse ishte edhe vizita e ditëve të fundit në Shkup e Ministrit në Detyrë për Evropën e Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj që kishte për qëllim mbështetjen e inkurajimin e qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 15 korrikut, si dhe forcimin e komunikimit e bashkëveprimit me ministrat e qeverisë për avancimin e proçeseve eurointegruese ndërmjet të dy vendeve tona.

Antarësimi i Maqedonisë së Veriut me të drejta të plota në NATO në mars të këtij viti, plotëson edhe më mirë hartën e rajonit, duke i dhënë edhe më shumë siguri RMV e me gjerë. NATO është një aleance politiko-ushtarake e cila në qëndër të vëmendjes veç sigurisë kolektive, ka edhe parimet e shtetit të së drejtës, zbatimit të ligjit, demokratizimit të vendit e sigurisht edhe sigurinë, por edhe luftën kundër krimit të organizuar, etj. Padyshim që në këtë kontekst, aderimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, do të krijoje kushte më të favorshme, ardhjen e investirorëve të huaj, rritjen e prodhimit të brendshëm, mirëqënie për qytetarët. Nga ana tjeter fakti i të qënurit anëtar i Aleancës, forcon edhe më shumë bashkëpunimin në të gjitha fushat, aq më tepër ndërmjet vendeve fqinje, shton sigurinë, sipas parimit “Një për të gjithë e të gjithë për një”.

FLAKA: Në mars të vitit 2020 vendet e BE-së arritën marrëveshje politike për të filluar negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Mund të përmendni një datë kur Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të mund të anëtarësohen në  Bashkimin Europian? 

FATOS REKA: Është e vërtetë që të dy vendet tona kanë arritur në mars të këtij viti marrëveshjen me Bashkimin Evropian për çeljen e negociatave të aderimit. Vendet tona tashme janë të vendosura e të përcaktuara se e ardhmja e tyre e sigurtë është veçse në BE, por për të qënë anëtarë, mbetet ende shumë rrugë për të bërë, kërkohen reforma të thella në të gjitha fushat, kryesisht në gjyqësor, administratë, në ekonomi, në përafrimin e legjislacionit me atë të BE, etj. Vendet tona i kanë nisur këto reforma e janë përcaktuar të vendosura në këtë rrugëtim, për këtë ndihmon edhe vetë BE, përmes nismave të ndryshme të fokusuara në Ballkanin Perëndimor, siç është “Procesi i Berlinit”, ç’ka do të bëj e bën që rajoni të “familjarizohet” me rregullat e lojës së Bashkimit Evropian. Një datë, është ende shpejt për të thënë një gjë të tillë, pasi për të dy vendet tona ende nuk është dhënë një datë se kur mund të mbahet Konferenca ndërqeveritare e cila përcakton zyrtarisht datën e fillimit të negociatave. Kështu që duhet të përgatitemi për një rrugë të gjatë. Vështirësia krijohet edhe për faktin se vetë Bashkimi Evropian ka përcaktuar një metodologji të re për antarësimin e vendeve të reja, plus faktit që gjithnjë, në mes të vendeve anëtare, ka patur vende që kanë qënë skeptike për antarësime të reja e posaçërisht për vendet e Ballkanit Perëndimor.

FLAKA: Infrastruktura llogaritet si lidhja më e mirë mes dy shteteve fqinje. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë katër vendkalime tokësore, siç janë Trebisht – Xhepisht, Qafë Thanë, Tushemisht – Shën Naum, Goricë – Stenjë dhe Dibër – Bllatë.  Infrastruktura rrugore në këto katër vendkalime tokësore lë shumëçka për të dëshiruar. Llogarisni që është nevojë immediate që qeveritë e dy vendeve të bëjnë më shumë në përmirësimin e infrastrukturës?  

FATOS REKA: Me përfundimin e rrugës së “Arbërit” në pranverën e vitit të ardhshëm, do të krijojë lehtësira të mëdha në lëvizjen e mallrave e njerëzve në të dy anët e kufirit, si dhe do të shkurtojë ndjeshëm distancat e komunikimit ndërmjet të dy vendeve tona. Mbetet të rishikohet mundësia e përmirësimit të infrastrukturës rrugore edhe në territorin e Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që bizneset e qytetarët e të dy vendeve ta kenë sa më të lehtë komunikimin ndërmjet tyre. Ajo që pyesni ju për infrastrukturën e Pikave të kalimit kufitar është më se e vërtetë që ka nevojë për investime, rregullime, gjë që i del për detyrë qeverive qëndrore e pushteteve lokale të të dy vendeve tona për ta përmirësuar. Si në Shqipëri, ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, qeveritë janë duke punuar për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, por mbetet ende për të bërë për të arritur standartet e kërkuara evropiane.

FLAKA: Jeni tani e pesë vite ambasador i Shqipërisë në Shkup dhe keni njohuri të hollësishme mbi zhvillimet politike. Si do ta vlerësonit rolin e forcave politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut?

FATOS REKA: Jeni shumë të saktë dhe e mbani mend mirë se kur kam filluar detyrën si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut. Personalisht jam përpjekur gjatë kësaj periudhe, që ta njoh sa më mirë vendin dhe njerzit e në këtë kontekst mund të them se kam mësuar shumë. Këtu jam njohur me njerëz shumë të mirë, politikanë, nëpunës, biznesmenë, njerëz të thjeshtë e punëtorë, të të gjitha etnive, me të cilët kam krijuar një komunikim shumë njerëzor e nuk ka se si të jetë ndryshe mes dy vendeve fqinje e mike, pasi na lidhin shumë gjëra të përbashkëta. Ndaj partive politike shqiptare dhe shqiptarëve në përgjithësi, Republika e Shqipërisë nuk ka asnjë paragjykim dhe i konsideron ato/ata, të barabartë, jemi një komb, vëllezër të një gjaku, pavarësisht ideologjive e bindjeve partiake të secilit. Faktori politik shqiptar e shqiptarët në përgjithësi kanë një meritë të veçantë në marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve tona, dukë qënë element shtetformues, me kujdes e maturi kanë ditur të japin kontributin e tyre e kanë shërbyer si urë lidhëse ndërmjet vendeve, për të forcuar edhe më shumë bashkëpunimin në rrugëtimin e përbashkët drejt Evropës. Nga ana tjeter, me mençuri, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë ditur po ashtu të pozicionohen drejt, duke dhënë një kontribut të madh në përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët, në antarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, si dhe në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian, ëndër e kaheshme e rilindasve tanë të nderuar.

FLAKA:  Republika e Maqedonisë së Veriut ka një qeveri të re. Tre parti shqiptare janë pjesë e shumicës qeveritare (BDI, BESA dhe PDSH). Si do ta vlerësonit pozicionin e këtyre partive në këtë mandat të ri qeverisës ?

FATOS REKA: Është e vërtetë që zgjedhjet parlamentare të parakohëshme të 15 korrikut në Maqedoninë e Veriut, krijuan mundësinë që tre parti politike shqiptare, BDI, BESA e PDSH, të jenë pjesë e kualicionit qeverisës së bashku me LSDM, pasi ky ishte vullneti i votuesve. BDI e PDSH dolën të vetme në zgjedhje, ndërsa BESA në kualicion parazgjedhor me LSDM. Shumica parlamentare që mori mandatin qeverisës nga Presidenti Pendarovski ku bëjnë pjesë edhe partitë shqiptare, jam i bindur së do të kontribuojnë ndjeshëm në mbarëvajtjen e punëve të qeverisë. E gjithë qeveria e drejtuar nga Kryeministri Zoran Zaev përbëhet nga ministra të aftë e kompetent, është një qeveri më e vogel e më me pak ministra, të dedikuar në rrugëtimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Qeveria aktuale ka edhe një risi, pasi për herë të parë ministra shqiptare drejtojnë ministri të tilla si ajo e Punëve të Jashtme dhe Bujqësisë, ndërkohë që Financat i janë besuar përsëri një shqiptari, e ky kontekst duhet parë jo vetëm se ato drejtohën nga shqiptarë, por në rradhë të parë nga figura politike kompetente që i kanë bërë vend vehtes për të qënë në të tilla pozicione. Jam i bindur se personalitetet e përcaktuar si ministra në qeverinë e zoti Zaev, do të dinë ta justifikojnë besimin e dhënë.

FLAKA: Mbetemi tek zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut. Filluat misionin diplomatik në vitin 2015 kur skena politike në Maqedoninë e Veriut ishte trazuar. Ndodhi ndryshimi i Qeverisë në vitin 2016. Si do ta vlerësonit kursin politik të kësaj qeverie në raport me faktorin ndërkombëtar ?   

FATOS REKA: Është e vërtetë ajo që thoni ju, në fillim të detyrës sime si Ambasador i Shqipërisë në Maqedoni në atë kohë ishte në një moment kur edhe situata politike nuk ishte e qetë. Opozita e asaj kohe kish filluar protestat e të bënte publike “bombat”, e Shkupi, por edhe qytetet e tjera të vendit ishin përfshirë në manifestime e protesta të opozitës LSDM, kundër qeverisjes së atëherëshme të VMRO-DPMNE. Ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Përzhinos bëri të mundur qetësimin e situatës politike, duke konluduar në pranimin nga të gjitha palët të zgjedhjeve të parakohëshme të dhjetorit të vitit 2016. Ngërçi politik vijoi edhe në 6-mujorin e parë të vitit 2017, deri në formimin e qeverisë LSDM-BDI të kryesuar nga Kryeministri Zoran Zaev. Kualicioni qeverisës ndërmori një sërë nismash shumë të rëndësishme për vendin si nënshkrimi i Traktatit të Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë, nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit e që i hapi rrugë antarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, thellimi i reformave integruese, përfshirja e RMV në Procesin e Berlinit, forcimi i marrëdhënieve me fqinjët dhe fokusimi i vendit drejt Brukselit. Pa dyshim që kjo qeverisje krijoi një frymë të re e më relaksuese në mbarë vendin, duke u fukusuar po ashtu në reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian, tërheqjen e investitorëvë të huaj, krijimin e vendeve të reja të punës, sidomos për rininë, si dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar e reformimin e sistemit gjyqësor. Është e vërtetë që në periudhën e shkurtër qeverisëse pati edhe përballje me kërkesa e pritshmëri më të lartë nga elektorati, por faktorë objektivë janë bërë pengesë për mos realizimin e disa premtimeve në fushën e ekonomisë. Faktori ndërkombëtar e ka mbështetur e vazhdon ta mbështesë qeverinë e kjo ilustrohet me faktin se personalitetet më të larta të politikës së jashtme e ato drejtuese të Bashkimit Evropian gjatë viteve 2018-2019 erdhën për vizitë në Maqedoninë e Veriut. Nuk munguan po ashtu Presidentë, Kryeministra, ministra të vendeve fqinje e më gjerë dhe kulmi arriti me viziten e Papa Françeskut në Shkup, vizitë shumë sinjifikative e domethënëse në mbështetje jo vetëm të qeverisë, por për të gjithë popullin dhe etnitë që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

FLAKA: Tryeza e rrumbullatët mes partive politike shqiptare në RMV nuk ftohet – a keni ndonjë porisi drejtë politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut?

FATOS REKA: Tryeza e konsultimeve ndërmjet partive politike shqiptare ishte një nisëm shumë e mirë e ndërmarrë prej tyre, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare te dhjetorit të 2016. Pavarësisht programeve e ideologjive të secilës parti, ato vendosen përmes kësaj nisme të mblidheshin periodikisht për të përcaktuar e koordinuar në vija të përgjithshme shqetësimet e tyre në rrafshin kombëtar e rrugët për eleminimin e këtyre shqetësimeve, si ngritja e vetëdijes kombëtare, përpjekjet për përmirësim të kushteve në arsim e kulturë, pse jo edhe zhvillim ekonomik të trevave ku ata jetojnë e punojnë, gjithnjë duke iu përmbajtur kornizave e kuadrit ligjor të vendit, si dhe orientimit të të gjithë faktorit shqiptar drejt perëndimit, gjë që tashmë është demonstruar në shumë raste.

Republika e Shqipërisë është treguar gjithënjë e kujdesshme e ka ndjekur me vëmendje e konsekuence zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, pa ndërhyrë në punët e saj të brendshme, për rrjedhojë edhe në punën e veprimtarinë e partive politikë të faktorit shqiptar, të cilët e dinë fare mirë se çfarë duhet të bëjnë e si mund të veprojnë, kur situata e dikton, që të kenë takime e konsultime mes tyre, duke vënë në plan të parë, përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve e zgjidhjes së problemeve. Orientimi euroatlantik i partive shqiptare, si atyre në qeveri, ashtu edhe atyre në opozitë, jam i bindur që do të japë rezultate në të mirë e në dobi të votuesve e përkrahësve të tyre. Tashmë Maqedonia e Veriut e ka përcaktuar rrugën e saj të pakthyeshme drejt Brukselit.

FLAKA: Diskutojmë (mos)marrëveshjen e Detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, si prisni të zgjidhjet kjo çështje e cila duket se ka edhe impakt rajonal?

FATOS REKA: Çështja e Marrëveshjes së delimitimit të ujrave detare ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, është një çështje që padyshim do të zgjidhet ndërmjet të dy vendeve. Marrëveshjen e konkluduar për këtë qëllim ndërmjet të dy vendeve në vitin 2009, e gjeti të pabazuar në normat e së drejtës ndërkombëtare, Gjykata jonë Kushtetuese dhe e rrëzoi atë. Domosdoshmërisht lind nevoja e një marrëveshjeje të re dhe palët kanë rënë dakord e kanë nisur konsultimet për këtë qëllim, prej kohësh. Ekspertët e të dy vendeve janë takuar periodikisht e kanë diskutuar, duke patur si orientim Marrëveshjet ndërkombëtare që rregullojnëë e përcaktojnë këto çështje, Konventën e Kombeve të Bashkuara të MontegoBay të vitit 1982, marrëveshje të tjera, mënyrën se si i kane zgjidhur këto çështje vende të ndryshme e eksperiencat më të mira botërore, ligjet e brëndshme të vendeve, etj. Po ashtu, praktika dhe eksperienca botërore ka parashikuar edhe instanca të tjera të paanëshme si Arbitrazh ndërkombëtar apo Gjykatën Ndërkombëtarë të së Drejtës së Detit në Hamburg, kur vendet negociuse nuk arrijnë dot që të gjejnë gjuhën e përbashkët e praktika ndërkombëtare ka shumë raste të tilla. Në këtë kontekst, Republika e Shqipërisë do të zbatojë më korrektësën më të madhe konventat e ligjet, duke iu përmbajtur negociatave të ndershme e profesionale dhe nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që ti shkelen të drejtat e saj të ligjshme në përcaktimin e kufirit të saj detar.

FLAKA: Fokusohemi tek zhvillimet politike në Shqipëri. Aktualisht temë e nxehtë është Kodi Zgjedhor. Mendoni që do të tejkalohen dallimet dhe Shqipëria të hy në proces zgjedhor me palë të dakorduara? 

FATOS REKA: Shqipëria, ashtu si edhe Maqedonia e Veriut, është e përcaktuar tashmë në rrugën pa kthim drejt Evropes. Ajo u antarësua në NATO në vitin 2009 e si vend anëtar ka detyrimet e saj, por njëkohësisht edhe përfitimet përsa i përket çështjeve të sigurisë. Debati politik në Shqipëri ka oshilacionet e veta dhe forcat politike janë përpjekur vazhdimisht në vitet e pluralizmit e demokracisë që të bëjnë më të mirën e për të aplikuar standarte të cilat aplikohen me sukses në të gjithë vendet e Bashkimit Evropian. Reforma radikale në sistemin gjyqësor, është e vërtetë që ka krijuar disa pengesa e vakum ligjor, por kjo do të jetë e përkohshme. Mos funksionimi me kapacitet të plotë dhe si duhet i disa gjykatave, ka bërë e diktuar që edhe disa mosmarrëveshje e kontestime të partive politike, të mos gjejnë zgjidhjen e duhur. Pavarësisht se Parlamenti funksionin normalisht duke qënë se klasa politike shqiptare ka filluar përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të ardhshme, për të cilat Presidenti i Republikës ka përcaktuar datën 25 prill 2021, me konsensus kanë vendosur edhe rishikimin e disa akteve e ligjeve që i shërbejnë pikerisht zgjedhjeve. Ndonëse në fazën e negociatave ka mendime të ndryshme e duhet gjetur varianti më i mirë, personalisht mendoj që ashtu si edhe në të shkuarën, palët e kanë gjetur gjuhën e përbashkët në të mirë e në dobi të qytetarëve që ata përfaqesojnë. Në finale, Shqipëria do ti tejkalojë pa tjeter dallimet dhe do të hyjë në procesin zgjedhor me palë të dakorduara.

FLAKA: Keni një përvojë admiruese në diplomaci. Nga viti 1985 keni filluar me punë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe keni kryer misone  diplomatik në disa vende dhe organizata botësore, siç ka qenë Organizata e Kombeve të Bashkuara. Jeni diplomat karriere me 35 vite përvojë dhe mund të flisni me kompetencë mbi diplomacinë shqiptare. A është diplomacia shqiptare në krye të detyrës dhe a mund ta quajmë një diplomaci të konsoliduar ?

FATOS REKA: Me sa duket e paskeni studiuar me vëmendje Cv time, (buzëqesh). Është e vërtetë që pjesën më të madhe të veprimtarisë sime profesionale ja kam kushtuar diplomacisë e jam përpjekur po ashtu që të gjitha aftësitë e mija ti vë në shërbim të saj. E them me bindje të plotë që diplomacia shqiptare është në krye të detyrës së saj, tashmë si një diplomaci e konsoliduar, pjesë aktive e diplomacisë rajonale, evropiane dhe botërore. Askush nuk mund ta imagjinonte më parë që dipolmacia shqiptare do të ishte në krye të organizmave të mëdha evropiane e botërore. Që me krijimin e shtetit shqiptar më 1912, patrioti Ismail Qemali u kujdes për krijimin e strukturave të përfaqësimit jashtë të shtetit shqiptar, me individë eminentë e patriotë, të cilët ditën ta përfaqësojnë Shqipërinë me dinjitet në arenën ndërkombëtare. Pas proceseve demokratike, diplomacia shqiptare gradualisht filloi të zëre vendin që i takon në arenën ndërkombëtare dhe sot, Republika e Shqipërise është e pranishme me përfaqësitë e saj diplomatike e konsullore në të katër anët e globit, në shërbim të qytetarëve të saj, por edhe duke përfaqësuar denjësisht vendin e duke ndihmuar në konsolidimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat, me vendet me të cilat kemi marrëdhënie diplomatike.

Shqipëria e filloi shpalosjen e aftësive të saj diplomatike në arenën ndërkombëtare, duke kryesuar Këshillin e Evropës në vitin 2012, ajo sivjet kryeson organizatën më të madhe e gjithëpërfshirëse me impakt nga Vankouver në Vladivostok, Organizata për Bashkëpunim e Siguri në Evropë (OSBE), Shqipëria sivjet, në Sesionin e 75-të të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka postin e Zëvendëspresidentit të Asamblesë, pa përmendur këtu drejtimin e shumë nismave e organizmave rajonalë, pjesëmarrjen në misione të ndryshme paqeruajtëse në kuadër të NATO-s e Kombeve të Bashkuara, si dhe të shumë individëve e diplomatëve me eksperiencë, të punësuar individualisht, apo me mbështetjen e qeverisë, në organizma ndërkombëtarë. Në këtë kontekst e them me bindje të plotë se Shqipëria dhe diplomacia e saj ka zënë një vend të konsoliduar në diplomacinë globale e përmes diplomatëve të rinj të talenduar e të përkushtuar, jep me modesti kontributin e saj në arenën ndërkombëtare. Natyrisht që e mira nuk ka fund, por falë kushteve të krijuara, performancës së diplomatëve dhe largpamësisë së drejtuesve të diplomacisë shqiptare, Shqipëria do të vijojë ta konsolidojë rolin e saj në këtë drejtim, ç’ka e tregon edhe ambicja e saj për të patur një vend si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023, për te cilin është duke lobuar fuqishëm në këtë drejtim.

FLAKA: Si e vlerësoni rolin e  Shqiptarëve sot në rajon, duke përfshi këtu edhe Malin e Zi ku një shqiptar vendos për krijimin e shumicës së re qeveritare në këtë shtet ?

FATOS REKA: Siç e përmenda edhe më lart, Republika e Shqipërisë është përpjekur që të luaj siç duhet rolin e saj të pamohueshëm në rajon, përmes pjesëmarrjes e qënies aktivë në të gjitha nismat e organizmat rajonale. Në këtë kontekst, ajo asnjëherë nuk e ka harruar edhe detyrimin e saj Kushtetues, për tu kujdesur për bashkëkombasit e saj në shumicën e vendeve të rajonit, pa ndërhyrë në punët e brendshme të këtyre vendeve, si dhe duke i ndihmuar e orientuar shqiptarët, kudo ku ata jetojnë që të dijnë ti mbrojnë të drejtat e tyre. Shqipëria në asnje rast nuk ka marrë pozicion paternalist, përkundrazi, i ka këshilluar bashkëkombasit që të jenë qytetarë shëmbullorë të shteteve ku ata jetojnë, të zbatojne ligjet e vendit e të kontribuojnë për mirëqënien e tyre, pa harruar asnjëherë që janë shqiptare. Po ta vëreni me vëmëndje, rrjedhojë logjike e punës së partive politikë në Maqedoninë e Veriut, të drejtat e mirëqënia e shqiptarëve ka ardhur gjithnjë e duke u konsoliduar e nuk mund të bëhet asnjë krahasim me të kaluarën, kur të drejtat e tyre anashkaloheshin e ishin të dhunuar e të diskriminuar duke u konsideruar si qytetarë të dorës së dytë. Po ashtu edhe në Luginën e Preshevës, zgjedhjet e fundit treguan se faktori shqiptar aty ka rolin e peshën e vet, pavarësisht se mbetet ende shumë për të bërë në investime, ekonomi e përmirësim të kushteve të jetesës.

Shqiptarët e Malit të Zi treguan se kur janë të bashkuar, mund t’ja arrijnë qëllimit, duke marrë drejtimin e administrimin e komunave me shumicë shqiptare. Politika me kombinatorkat e saj është pak e çuditshme e art që duhet luajtur e zbatuar me përpikmëri, natyrisht me qëllim të mirë e në dobi e shërbim të qytetarëve. E kjo për të mos u habitur aspak, ndodhi edhe në Malin e Zi, ku një parti e vogël e drejtuar nga një shqiptar, është bërë faktor vendimtar në formimin e qeverisë së re në atë vend. Urojmë që ato çfarë u premtuan në fushatën zgjedhore të bëhen realitet në dobi të qytetarëve që i votuan e që qeveria e re aty, të vijojë kursin e reformave euroatlantike si një vend anëtar i NATO-s, ç’ka do ti shërbente paqes e sigurisë në rajon e më gjerë, si dhe mirëqënies ekonomike të shtetasve. Kontributi i Malit të Zi në rajon e më gjerë, ndonëse një vend i vogël, ka qënë shumë rezultativ.

Urojmë më të mirën, paqe, begati, siguri e zhvillim ekonomik në dobi e përfitim të të gjithë qytetarëve të vendeve tona e të të gjithë rajonit.

Faleminderit për mundësinë që përmes kësaj interviste, të komunikoj me lexuesit tuaj. Po ashtu si një media e re, ju uroj sukses në punë e veprimtarinë tuaj për informimin e qytetarëve, duke i mbetur besnik parimeve të medias së lire e të pavarur e performancës profesionale.

FLAKA: Ishte kënaqësi e veçantë dhe faleminderimet u takojnë juve që pranuat intervistën për Agjencinë e Lajmeve FLAKA

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 29, 2020 11:37