Ambasadorja e SHBA-së: Qeveria e re të formohet brenda afatit

Ambasadorja e SHBA-së: Qeveria e re të formohet brenda afatit

Qeveria e re të formohet në afatet e parapara dhe të vazhdohet lufta kundër koronavirusit. Kjo është porosia e Ambasadores së SHBA-së, në Shkup, Kejt Mari Bërns.

Ajo për gazetën Koha ka theksuar se SHBA bashkëpunon me të gjitha partitë politike në vend me qëllim të vazhdimit të rrugës euro-atlantike.

Bërns nënvizon se arritja e marrëveshjes për Qeveri të re është prioritet, ndërsa çështja e kryeministrit në një sistem parlamentar është punë e shumicës parlamentare.

Kejt Mëri Bërns
“Varet nga shumica në parlament për të votuar qeverinë e ardhshme. Kualifikimet e caktuara të kryeministrit dhe aftësia e tij ose saj për të marrë mbështetjen e një shumice të deputetëve janë për nga natyra e sistemit tuaj parlamentar, faktorët vendimtarë këtu, pavarësisht përkatësisë etnike ose politike”.

Në ndërkohë gjatë ditës së djeshme, Presidenti i Shtetit Stevo Pendarovski theksoi se mandati për formimin e qeverisë do ti ndahet cilitdo përfaqësues që në listat zgjedhore kanë marrë deputetë në Kuvend dhe i cili do ta bind presidentin se ka shumicën prej 61 deputetë.
Ndryshe, seanca për konstituimin e përbërjes së dhjetë parlamentare është caktuar për të martën e ardhshme dhe sipas Kushtetutës, presidenti i shtetit është i obliguar që në afatin prej 10 ditëve nga konstituimi, mandatin për përbërjen e Qeverisë t’ia dorëzojë kandidatit të partisë, apo partitë që kanë shumicë në Kuvend. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e dorëzimit të mandatit, Kuvendit duhet t’i dorëzojë program dhe propozim për përbërjen e Qeverisë.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 15 korrikut, koalicioni i drejtuar nga LSDM “Mundemi” fitoi 46 deputetë, koalicioni i VMRO-DPMNE-së 44, BDI ​​15, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12, E Majta 2 dhe PDSH një mandat.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 1 Gusht, 2020 16:55

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.