Amnistia për “27 prillin”, Xholev: nuk kanë arritur kërkesa për amnisti; Zaev: Ivanov s’ka bazë ligjore të amnistojë

Desk
By Desk 11 Prill, 2019 19:13

Ende nuk ka asnjë njoftim apo përgjigje nga presidenca, se si do të veprohet me kërkesat e avokatëve mbrojtës të një pjese të të dënuarve për dhunën në kuvend dy vite më parë.

As në Gjykatën Penale në Shkup nuk ka arritur as një kërkesë apo iniciativë nga të akuzuar apo gjykuar të cilët kërkojnë amnisti. Këtë e konfirmoi kryetari i Gjykatës Penale, Ivan Xholev, por mohoi të komentojë se nëse presidenti Ivanov gëzon të drejtën të amnistojë në këtë rast.

“Nuk është në rregull paraprakisht të komentojmë, nëse vendoset për abolim, atëherë do ta themi qëndrimin tonë”,- tha kryetari i Gjykatës Penale, Ivan Xholev.

Kryeministri Zaev thotë se nuk ka bazë ligjore për amnisti eventual nga presidenti Ivanov që është në fund të mandatit të tij. Ai nuk pret asnjë amnisti eventuale për këtë rast të japë kandidatja për presidente e VMRO-së, Gordana Siljanovska – Davkova, nëse fiton në zgjedhjet presidenciale, që po angazhohet për shtet të së drejtës në fushatën e saj.

“Neni 11 i Ligjit për amnisti nuk ekziston, është anuluar dhe nuk mund të veprohet. Procedurat të cilat zhvillohen përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe mundën të arrijnë deri tek kryetari i shtetit, por të njëjtat nuk mund të zhvillohen në kohë të zgjedhjeve. Ato janë procedura të ndaluara, pasi që ndikojnë në procesin zgjedhor, pasi përmes tyre ndikohet në numrin e votave dhe vetë votuesve. Mund të zhvillohen pas zgjedhjeve, e dimë që rrethi i dytë është më 5 maj, ndërsa mandati i Ivanovit mbaron më 12 maj, kështu që nuk pres asnjë lloj abolimi nga Ivanovi”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.

Presidenti Ivanov në prill të vitit 2016 vendosi të amnistojë 56 persona, në mesin e të cilëve politikanë, biznesmenë, përfaqësues të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, ndërsa një javë më pas ai për një pjesë të tyre e tërhoqi amnistimin.

Desk
By Desk 11 Prill, 2019 19:13