Mbajtja e stabilitetit të çmimeve është me rëndësi esenciale për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe të qëndrueshëm ekonomik, porositi sot guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska në panel-diskutimin “Çmimi i cili duhet të paguhet: Si të frenohet inflacioni? Pikëpamjet e bankave qendrore dhe ministrive të financave” që mbahet në kuadër të takimit të Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Sarajevë.
Siç tha Angelovska Bezhoska, para së gjithash pandemia, ndërsa sivjet edhe konflikti ushtarak në Ukrainë, përmes kanaleve të ndryshme shkaktojnë rritje të presioneve inflacioniste globale.
Inflacioni, theksoi, është në të gjitha ekonomitë dhe veçanërisht tek ato më pak të zhvilluara, ku më shumë se gjysma e tyre kanë inflacion më të lartë se 10 për qind. Në rajonin e Evropës Qendrore dhe Juglindore, inflacioni mesatar është rreth 15.5 për qind. Inflacioni në vendin tonë gjithashtu u përshpejtua, duke pasur parasysh varësinë e lartë të ekonomisë tonë nga importi, veçanërisht varësinë në sektorin e energjisë, si dhe peshën e lartë të ushqimit dhe energjisë në shportën e konsumit.
“Edhe pse faktori kyç për rritjen e inflacionit janë çmimet e ushqimeve dhe energjisë, rritja e tyre afatgjatë dhe konstante transferohet në çmimet e mallrave dhe shërbimeve të tjera dhe ndikon në pritjet inflacioniste, veçanërisht ato afatshkurtra. Në rrethana të tilla, bankat qendrore duhet të veprojnë me masat e tyre për të ulur inflacionin, duke marrë në konsideratë edhe rreziqet aktuale të rënies së perspektivës ekonomike. Kjo është arsyeja pse pothuajse të gjitha bankat qendrore po ndërmarrin veprime, duke përfshirë FED dhe Bankën Qendrore Evropiane. Kjo mënyrë e zhvillimit të politikës monetare do të ndikojë në pritjet inflacioniste dhe do të kontribuojë në stabilizimin e lëvizjeve afatmesme të çmimeve”, tha guvernatorja Anita Angelovska-Bezhoska.
Në Konstituencën holandeze të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Grupacionit të Bankës Botërore, përveç Holandës dhe vendit tonë, janë të anëtarësuar edhe Bosnje e Hercegovina, Bullgaria, Gjeorgjia, Armenia, Izraeli, Qiproja, Luksemburgu, Moldavia, Rumania, Ukraina, Kroacia dhe Mali i Zi. Takimi sivjet me titull “Nga kriza deri në rimëkëmbje” mbahet nga 14 deri më 16 shtator në Sarajevë.