Po bëhet gjithnjë e më e sigurt se energjia elektrike do të shtrenjtohet, përcjell FLAKA.
Pas Vitit të Ri do të rritet çmimi i rrymës, është e nevojshme të ndihmohen qytetarët më të rrezikuar, pohon ish-zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Koço Angjushev.
Ai thotë se nuk duhet të shpresojmë se çmimi i energjisë elektrike në bursat botërore do të kthehet në nivelin prej rreth 50 euro, siç ishte në të kaluarën. Angjushev beson se do të stabilizohet diku nga 100 deri në 150 euro për megavat, që do të thotë se çmimi final për konsumatorët sigurisht do të rritet.
“Është vendim politik se sa do të mbrohet, por mund të mbrohet që të mos shkatërrohet Ndërmarrja Elektrike e Maqedonisë së Veriut. Edhe nëse EMV jep energji elektrike me zero denarë, vetëm komponenti i importuar, kur të bëhet një mesatare, do të ishte sërish më i lartë se aktuali”, tha Angjushev për TV 24 në emisionin Studio 10.
Ai tha se ne si vend do të ndajmë fatin e çmimit të Evropës.
Ekspertët juridikë në fushën e energjisë thonë se dekreti i miratuar që mund të shpallë një krizë energjetike emergjente është miratuar me vonesë. Çmimet e energjisë elektrike në tregjet e huaja filluan të rriten që në maj. FLAKA