Anketat tregojnë besim të dobët në qeverinë e re

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 21 Janar, 2022 21:39

Anketat tregojnë besim të dobët në qeverinë e re

Vetëm pesë për qind e gjysmë nga 1124 të anketuar i besojnë kryeministrit të ri Dimitar Kovaçevski, tregojnë rezultatet e anketës së fundit të opinionit publik të kryer nga Instituti për Hulumtime Politike në Shkup nga 17 deri më 19 janar të këtij viti me 1124 të anketuar në mbarë vendin, përcjell FLAKA.

Kjo është dy herë më pak se paraardhësi i tij Zoran Zaev dhe tre herë më pak se lideri i opozitës Hristijan Mickoski, të cilit sipas rezultateve të IPSIS-it i besojnë pothuajse 18% e qytetarëve të anketuar. Shifrat janë një pikënisje dhe do të duhet kohë për të parë nëse mbështetësit e LSDM-së do ta ridrejtojnë besimin nga Zaev te Kovaçevski.

Shqiptarët ende i besojnë më së shumti liderit të BDI-së, Ali Ahmetit. Për të kanë votuar pak më shumë se shtatë për qind e të anketuarve, i ndjekur nga kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela me 3.5 për qind të votave. Megjithatë, përqindja më e madhe e qytetarëve ose 33 për qind janë shprehur se nuk besojnë në asnjë politikan.

Më shumë se 42% e të anketuarve nuk besojnë se qeveria e Kovaçevskit do të mund ta kapërcejë krizën politike në vend. 33% e të anketuarve janë ende optimistë. Qytetarët e tjerë ose nuk kanë qëndrim ose nuk janë përgjigjur në pyetjen “A do ta përmirësojë punën e saj zgjedhja e Qeverisë së re?”.

Sa i përket partive dhe zgjedhjeve, 22,5 për qind e të anketuarve kanë votuar për VMRO-DPMNE-në, për dallim nga 17,9 për qind për LSDM-në. BDI-ja ka fituar besimin e 7% të të anketuarve, ndërsa partitë e tjera të koalicionit qeverisës Alternativa dhe BESA kanë marrë respektivisht 1.2 dhe 1.1%. Edhe pse në opozitë, Aleanca për Shqiptarët dhe e Majtë aktualisht gëzojnë mbështetjen e përkatësisht 3.5 për qind dhe 3 për qind të votuesve. FLAKA

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 21 Janar, 2022 21:39