Anti-korrupsioni “shoshit” funksionarët, procedura për Panovskën, Merkon, Vangellovskin

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 9, 2019 19:17

Anti-korrupsioni “shoshit” funksionarët, procedura për Panovskën, Merkon, Vangellovskin

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka hapur procedurë për keqpërdorim të detyrës zyrtare kundër drejtoreshës së hematologjisë, Irena Panovska, kryetarit të Strugës, Ramiz Merko, dhe kryetarit të gjykatës supreme, Jovo Vangellovski.

“Në rastin “Panovska” do të hetohet nëse janë shkelur ligjet gjatë procedurës tenderuese për furnizimin e barnave, tender që e ka marrë ndërmarrja “dr. Panovski”, në pronësi të babait të saj, Zllatko Panovskit”,- tha anëtari i KSHPK-së, Vlladimir Georgiev.

“Anti-korrupsioni me vetiniciativë ka hapur procedurë, pas lajmeve nga mediat, se komuna e Strugës është furnizuar me katër automjeteve me vlerë të përgjithshme prej 114.000 euro, përfshirë këtu furnizimin me veturë të tipit “Audi A6” me vlerë prej 67.000 euro, të cilën e posedon kryetari i komunës, Ramiz Merko… Është hapur procedurë edhe për kryetarin e Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski, për të hetuar nëse e ka keqpërdorur detyrën zyrtare për qëllime personale kur ka blerë veturën e tipit “BMV” me vlerë prej 40.000 euro”,- deklaroi anëtari i KShPK-së, Nuri Bajrami.

Komisioni do të hetojë edhe 6 raste të paraqitura nga VMRO-DPMNE, ku është i përfshirë kryeministri, Zoran Zaev, të njohura në opinion si “Ryshfeti” dhe “Global”, si dhe për të ashtuquajturat firmat bullgare. Do të hetohet edhe ministri i shoqërisë informatike, Damjan Mançevski, si dhe zëvendëskryeministri, Koço Angjushev.

“Një nga pronarët është Koço Angjushev përmes Kompanisë “Feroinvest” dhe vëllai i tij, Todor Angjushev, është menaxher/drejtor dhe i ka dhënë tokë ndërtimi përmes një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë për një sipërfaqe totale prej 7.105 metra katrorë, në Drenovë, për ndërtimin e Hidrocentralit “Topolka”. Procedurë për lëndën “Global”, procedurë për lëndën “Një euro korrupsion”, procedurë për rastin “kompanitë greke të Mançevskit””,- tha kryetarja e KShPK-së, Biliana Ivanovska.

Anti-korrupsioni ka hapur rast edhe për dyshimet se Zoran Karaxhovskit – ish kryetar i Këshillit Gjyqësor, Kole Shterjev – kryetar aktual i Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe Jovo Vangellovski – kryetar i Gjykatës Supreme, tre vite radhazi kanë marrë paushall mujor prej 100 mijë denarësh.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 9, 2019 19:17