Antibixhozi kërkon të votohet ligji për lojërat e fatit

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Shkurt, 2024 15:08

Antibixhozi kërkon të votohet ligji për lojërat e fatit

Edhe pse ligji për lojërat e fatit nuk i plotëson kërkesat e lëvizjes Antibixhoz, megjithatë kjo e fundit kërkon që ashtu siç është propozuar nga qeveria të votohet nga deputetët e kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe të mos zhagitet. Kështu tha Jushi Emërllahu nga Lëvizja Antibixhoz duke bërë apel që propozim ligji për lojërat e fatit të përkrahet nga të gjitha partitë.

Ky ligj është mbajtur gati se katër vite në sirtarët e komisionit për financa dhe buxhet, kurse më në fund qeveria u detyrua që këtë ligj ta propozojë me flamurin evropian. Qëllimi final sipas lëvizjes Antibixhoz është që të mbyllen të gjithë lojërat e fatit.

“Është një nismë ku do të fillon me një distancë prej 500 metrave nga shkollat fillore dhe të mesme dhe në fund do të mbaron me mbylljen e të gjitha objekteve të lojërave të fatit. Pasi që është një nismë që të ketë një ligj deri diku të mirëfilltë, ne kërkojmë që deputetët mos ngurrojnë të votojnë, sidomos në këtë drejtim kërkojmë nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, që të mos e pengojnë sepse kanë bërë obstruksione që nga fillimi për këtë ligj”, tha Emërllahu.

Masa radikale kanë paralajmëruar nga kjo lëvizje nëse nuk ka vullnet që ky ligj të votohet në Parlament. Nga kjo lëvizje paralajmërojnë se do të bllokojnë edhe mbajtjen e zgjedhjeve. “Ne do të detyrohemi të dalim në protesta, do të bllokojmë shtetin, do të bllokojmë edhe vendvotimet që të mos mund të mbahen zgjedhjet në mënyrë të rregullt. Ne si qytetarë sidomos si Lëvizje Antibixhoz, bëjmë thirrje që të votohet ky ligj sepse do të ketë revoltë të madhe dhe të shmangen incidentet e mundshme”, deklaroi Jushi Emërllahu. Ai tha se kanë garanca nga deputetet se ky ligj do të votohet edhe pse kërkesa jonë finale është deri tek mbyllja e lojërave të fatit, ndërsa ligji që propozohet është vetëm një fillim.

Ndryshe, disa herë është protestuar në Tetovë dhe disa qytete tjera që kuvendi sa më parë të votojë këtë ligj. Kërkesa fillimisht ishte që objektet e lojërave të fatit të jetë 3 kilometra nga institucionet arsimore dhe edukative. Por, në fund është propozuar që largësia e këtyre objekteve të jetë 500 metra. Krahas kësaj, ishte iniciuar edhe një referendum në territorin e komunës së Tetovës kundër objekteve të lojërave të fatit, por shkaku i procedurave të ndërlikuara ky referendum nuk u organizua asnjëherë. Nga ana tjetër, disa herë asociacioni i punëtorëve të lojërave të fatit ka thënë se me këtë ligj shumë punëtorë do të ngelin në rrugë dhe janë kategorik kundër këtij ligji. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Shkurt, 2024 15:08

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare