Antikorrupsioni s’ka njohuri kush mund të jenë personat e përfshirë në korrupsion

Antikorrupsioni s’ka njohuri kush mund të jenë personat e përfshirë në korrupsion

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) nuk ka njohuri se për cilët persona bëhet fjalë lidhur me rastin e korrupsionit në të cilin janë të involvuar dy funksionarë të lartë të pushtetit për të cilët përmendi kryeministri, Zoran Zaev, deklaroi sot në Shkup kryetari i Komisionit, Igor Tanturovski.

Ai u distancua prej komenteve dhe theksoi se kryeministri me siguri ka burime të veta për të dhëna të tilla, ndërsa lidhur me lëndët për personat në të cilat vepron KSHPK dhe ku udhëhiqet procedurë, tha, nuk mund të japë informacion publik.

“Unë nuk mund të them saktë se për cilët persona bëhet fjalë të cilët i përmendi kryeministri. E di për ato lëndë për të cilat veprojmë ne, ndërsa ato janë në procedurë dhe për to nuk mund të komentoj, tha në pyetjen e gazetarëve Tantrovski i cili sot mbajti fjalim në punëtorinë ndërkombëtare me temë “Parandalimi i korrupsionit, përplasjet e interesave dhe mbrojtja e informatorëve”, e organizuar nga KSHPK në bashkëpunim me instrumentin TAIEX të Komisionit Evropian dhe në partneritet me Agjencinë për Antikorrupsion të Republikës së Italisë.

Sllagjana Taseva nga “Transparensi Interneshënall Maqedoni” në pyetjen e gazetarëve lidhur me këtë rast, deklaroi se nuk mund të thotë asgjë se për cilët njerëz bëhet fjalë dhe se për çfarë bëhet fjalë.

“Mendoj se është mirë fillimisht rastet e tilla të hetohen mirë, të merren informacione të cilat do të mbështesin ekzistimin e bazave për dyshim dhe më pas institucionet kompetente të prononcohen për atë që ndodh dhe nëse me të vërtetë ndonjëri prej funksionarëve ka qenë i përfshirë në korrupsion. Kjo nuk është çështje e politikës dhe nuk duhet të shfrytëzohet për qëllime politike dhe as si promovim politik se ja ne filluam luftë kundër korrupsionit. Më duhet të them se këtë e kemi parë edhe më herët, por nuk ka pasur efekte në përmbylljen e plotë të këtyre rasteve”, tha Taseva.

Në pyetjen nëse disa prej institucioneve kompetente kanë vepruar për deklaratën e Zaevit, Taseva shtoi se nuk ka informacione të tilla dhe se procedurat e tilla janë të besueshme.

“Nëse kanë ndërmarrë diçka apo jo nuk mund të themi. Prandaj pres ata të dalin dhe të tregojnë nëse ka ndodhur diçka”, shtoi Taseva.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Nëntor 13, 2017 14:16