OPINION | ASH, çka fillon nesër?!

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Dhjetor, 2021 00:00

OPINION | ASH, çka fillon nesër?!

Shkruan: Abedin Bilalli

ASH-ja nesër ka Kuvendin Qendror, e ku eksponentë të lartë partiak kanë lënë të kuptohet se lideri Ziadin Sela, do të deponojë dorëheqje. Edhe Sela vet ka paralajmëruar dorëheqje, e cila vjen si pasojë e rezultatit të dobët në zgjedhjet lokale. Selën, statuti aktual i partisë nuk e detyron të dorëhiqet apo të largohet, ndërsa si akt moral një gjë e tillë, mbetet në ndërgjegjen e tij. Megjithatë, për largim përfundimtar të tij, do të duhet të pritet deri në prill kur ASH ka Kongresin partiak.

Nëse Sela largohet, Arben Taravari do të zgjidhet në pozitën e kryetarit të partisë, i cili ishte i pari që paralajmëroi dorëheqje nga Sekretari i Përgjithshëm. Sa tregon përgjegjshmëri, Taravari përçon edhe mesazh deri te bashkëpartiakët e tij: ‘koha e ndryshimit nga oborri ynë”. Ai shihet si favorit për të marrë kreun e partisë, pasi ishte i vetmi me rezultat pozitiv në zgjedhjet lokale. Por, ky subjekt i cili edhe pse kërkon zgjedhje, nuk është për zgjedhje të shpejta, sepse ASH do të kërkojë të blejë kohë të konsolidohet si parti me lidership të ri, dhe zgjedhjet siç është shprehur disa herë edhe vetë Taravari, duhet të mbahen nga tetori i 2022.

“Play-maker” Taravari do të duhet të fillojë me reforma të thella, të cilat duket se i fillon nga Dega e ASH-së në qytetin e tij, Gostivarin. Këto reforma “të dhimbshme” do të duhet ti ndërmarrë shpejtë nëse dëshiron të bëjë rezultat të mirë, apo më e pakta të kthejë 30 mijë votat nga zgjedhjet parlamentare në vitin 2020.Nëse nesër nuk ka sinjale për fillim të ndryshimit, mbështetësit e saj me të drejtë do ta kenë t’i thonë se ato nuk janë opozita e vërtetë shqiptare, apo se ASH ka marrëveshje me BDI-në për të qendruar në opozitë, sikurse dikur ndodhte me PDSH-në.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Dhjetor, 2021 00:00