ASH mbështet grevën e tregtarëve të tregut të gjelbër

Desk
By Desk December 23, 2019 20:41

ASH mbështet grevën e tregtarëve të tregut të gjelbër

Kjo qeveri është shumë efikase kur rrit obligimet e qytetarëve dhe rrit çmimet për ta, por është shumë joefikase dhe neglizhente në përmbushjen e premtimeve që vetë ndër vite i kanë bërë para qytetarëve.

Aleanca për Shqiptarët mbështet grevën e tregtarëve të tregut të gjelbër, dhe kërkojmë nga ndërmarrja Tregu i Shkupit të ndalojë me masat dëmprurëse për këta tregtarë që kanë vendosur që në mënyrë të ndershme të fitojnë bukën e gojës.

Në vend se të rrisin çmimet për qira, më mirë le të përfundojnë projektin që e kanë premtuar qysh në vitin 2012!

Programi zgjedhor i BDI-së i vitit 2013 parashihte rindërtim të tërësishëm të Bit Pazarit, si një projekt kapital shumë i rëndësishëm. Që atëherë e deri tani tregtarët e Bit Pazarit me qindra herë janë manipuluar me datat e realizimit të projektit.

Jemi në vitin 2019 dhe projekti i premtuar tashmë 7 vite ende as nuk është afër përfundimit. Si duket BDI-së në programin zgjedhor të prillit do t’i duhet ky projekt si një vegël tjetër premtuese për përfitim të votave.

Aleanca për Shqiptarët, reagon ashpër ndaj kësaj rritjeje të çmimeve si dhe ndaj presionit dhe mos lejimit të shprehjes së vullnetit të tregtarëve nëpërmjet një forme demokratike siç është greva. Ndikimi i ndërmarrjes Tregu i Shkupit është shkelje e të drejtave njerëzore.

Kujtojmë se, kjo ndërmarrje është e obliguar për rindërtimin e objektit të Bit Pazarit, dhe e njëjta nuk duhet të ndihmojë partitë politike të përfitojnë nga ky rast.

Aleanca për Shqiptarët-Dega Çair

Desk
By Desk December 23, 2019 20:41