ASH në Qeveri, Ahmeti: Zgjerimi nuk bëhet për BDI-në

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 24 Janar, 2023 20:01

ASH në Qeveri, Ahmeti: Zgjerimi nuk bëhet për BDI-në

Bisedime zhvillohen por jo për poste. Ky është qëndrimi i kreut të BDI-së Ali Ahmeti i pyetur nëse Aleanca për Shqiptarët është ftuar t’i bashkohet pushtetit. Ai këmbëngul se akoma nuk është biseduar për detajet duke mos theksuar se nga sa poste ministrore është i gatshëm të heqë dorë për t’i bërë vend partnerit të ri eventual.

“E gjithë kjo nuk ndodh për të shpëtuar qeverinë. E gjithë kjo nuk ndodh për të shpëtuar BDI-në. E gjithë kjo ndodh për procese, janë procese të rëndësishme. Janë procese që duhet të kontribuojmë që të gjithë.

Anëtarësimi në BE është rrugëdalja e vetme që të ndalim pakësimin e njerëzve në vend, njerëzit po na ikin, si t’i ndalim këta dhe si të krijojmë kushte për t’i kthyer ata që janë jashtë”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Gjatë ditëve të ardhshme pritet të intensifikohen takimet e partnerëve të koalicionit qeveritar për zgjerimin eventual. LSDM-ja tashmë ka dëgjuar qëndrimet e partive të koalicionit parazgjedhor si Lidhjes Demokratike, Ripërtëritjes Demokratike të Maqedonisë, Partisë Liberal Demokrate, etj. Pavle Trajanov vlerëson se parimi i përfaqësimit të drejtë etnik duhet të pasqyrohet edhe në përbërjen e kabinetit qeveritar.

“Përfaqësim i drejtë i të gjithë bashkësive etnike në qeveri dhe në të gjitha institucione e tjera… Unë angazhohem për këtë parim dhe nëse qeveria e re kompozohet në atë mënyrë do ta mbështes. Në të kundërtën, nuk jemi të gatshëm si parti të pranojmë shantazhe. Ajo parti e cila ka problem me grupin parlamentar duhet ta paguaj çmimin. Tani BDI-ja ka gjashtë vende ministrash, nëse duan partner të ri, duhet të heqë dorë nga dy ministri dhe ajo do të ishte në rregull”, u shpreh Pavle Trajanov, kryetar i Lidhjes Demokratike.

Aleanca për Shqiptarët do të formojë grup negociator i cili do t’i zhvillojë takimet me partitë në pushtet. Më pas, nga partia e Arben Taravarit do të drejtohen me referendum strukturave dhe degëve për të marrë vlerësimin e tyre për përfshirjen e mundshme në qeveri.

Aktualisht ka zëra se kjo parti mund të marrë tre pozita ministrash, disa zv.ministra dhe disa drejtori. /Alsat.mk

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 24 Janar, 2023 20:01