Atentati dyshohet si pjesë e luftës për kontrollin e Hipotekës së Durrësit

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka November 2, 2019 19:58

Atentati dyshohet si pjesë e luftës për kontrollin e Hipotekës së Durrësit

Top Channel raporton se ka arritur të mësojë detaje të reja që hedhin dritë mbi atentatin e realizuar dje ndaj makinës me të cilën udhëtonte prokurori Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi, i njohur si “i forti i Sukthit”.

Dy personat e sipërpërmendur dhe shoferi Andi Maloku mbetën të plagosur nga breshëria e plumbave në autostradën Durrës-Tiranë, dhe vijojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve në spitalet e Durrësit dhe të Traumës në kryeqytet.

Por pista kryesore ku është përqëndruar grupi hetimor lidhet me luftën që po zhvillohet për kontrollin e Kadastrës së Durrësit dhe veçanërisht në konfliktin për pronat në Gjirin e Lalëzit. Për këtë arsye, hetuesit mendojnë se shënjestra e atentatit ka qenë pikërisht Landi Muharremi dhe jo prokurori Ndoja, i cili gjithashtu ka mohuar se ka qenë shënjestra në këtë ngjarje.

Muharremi, i njohur ndryshe edhe si Aleksandër Laho, njihet si person problematik dhe ka qenë i përfshirë në disa ngjarje. Ai u ndalua dy vite më parë edhe si përfshirë në rrahjen barbare që iu bë biznesmenit libanez, Faad Mitri, në kryqëzimin e Rinasit, pikërisht për një konflikt prone në Gjirin e Lalëzit, një prej zonave kryesore të turizmit në vend.

Ai është akuzuar edhe për dhunë ndaj një avokati dhe për disa ngjarje të tjera në qytetin bregdetar.

Ndërkohë, lufta për Lalëzin është përqëndruar muajt e fundit brenda Kadastrës së Durrësit, ku ka patur edhe arrestime të shumta deri në nivelin drejtues.

Dinamika e atentatit

Autorët kanë zgjedhur momentin për të goditur kur makina e drejtuar nga shtetasi Andi Maloku dhe brenda së cilës ishin Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi, por zbriste nga mbikalimi i Shkozetit për të hyrë në autostradën Durrës-Tiranë.

Mësohet se automjeti ka qenë me rreth 30 km në orë dhe autorët kanë shfrytëzuar shpejtësinë e ulët për të nisur breshërinë e plumbave.

Ata e kanë goditur nga pas makinën ku ndodhej Muharremi dhe për këtë arsye pumbat kanë prekur kryesisht atë.

Sa i përket prokurorit Ndoja, ai ka qenë i ulur në sediljen e parë të pasagjerit dhe plumbat e kanë goditur në shpatullën e majtë.

Ndoja dhe Muharremi ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Maloku paraqitet në gjendje më të rënduar.

Provat

Pak orë pas ngjarjes policia identifikoi një makinë të braktisur pranë varrezave të fshatit Shkafanë të Ishmit, në Durrës, e cila dyshohet se i përket autorëve të sulmit. Brenda saj, hetuesit kanë gjetur dy kallashnikovë, dy maska dhe një shishe me benzinë.

Kqyrja e makinës për të mbledhur prova të tjera po vijon aktualisht nga grupi hetimor.

Ndërkohë, raportohet se janë të paktën 10 persona që janë shoqëruar për t’u pyetur mbi ngjarjen e rëndë./TCH

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka November 2, 2019 19:58