Autoritetet ende nuk e dinë se kur Maqedonia do ti marrë vaksinat e premtuara nga Serbia

Autoritetet shëndetësore ende nuk e dinë se kur Maqedonia do të marrë vaksinat e premtuara nga Serbia. Ministria e Shëndetësisë thotë se po zhvillohen negociata për importin dhe lëshimin në përdorim të vaksinave, përcjell FLAKA.
Sidoqoftë, Agjencia e Barnave thotë se edhe pasi të mbërrijnë vaksinat, ata do të përballen me një procedurë për kontrollimin e cilësisë, sigurisë dhe transportit. Agjencia nuk ka marrë asnjë kërkesë deri më tani për të qenë në gjendje të fillojë këto procedura.
“Agjencia e Barnave, Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria me komunikim në bazë ditore jemi të interesuar për dy gjëra: e para sa më shpejtë të sjellim vaksinën anti kovid dhe e dyta e gjithë ajo procedurë të jetë në harmonizim me të gjitha kërkesat ligjore të cilat janë të parapara në vend me qëllim që të kemi një vaksinë të sigurte dhe të kontrolluar”, deklaroi Lirim Shabani, Drejtor i Agjencisë së Barnave “Malmed”.
Vaksinimi masiv i popullatës filloi në Serbi sot – ushtria, policia dhe arsimtarët morën vaksinat kundër KOVID në objektin e specializuar në panairin e Beogradit. Deri më tani, më shumë se 13,000 njerëz janë vaksinuar në Serbi.
Maqedonia mbetet ndër vendet e fundit në rajon që nuk ka marrë ende vaksina kundër koronavirusit. Pasi Greqia, Bullgaria dhe Polonia nuk na dhanë donacionet që ata premtuan, Serbia ofroi për t’i dhënë një pjesë të sasive të saj vendit tonë.
Kryeministri Zaev tha të hënën se Presidenti serb Vuçiç i kishte ofruar 8,000 vaksina Maqedonisë. Përveç Serbisë, 5,850 dozat e para të vaksinave pritet të mbërrijnë direkt nga kompania Pfizer në shkurt, sipas njoftimeve të autoriteteve shëndetësore, dhe vendi është ende duke pritur për vaksinat përmes mekanizmit KOVAKS të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. FLAKA