Autoritetet pretendojnë se kanë mbyllur kufijtë, migrantët kalojnë lirshëm

Desk
By Desk March 8, 2020 16:23

Autoritetet pretendojnë se kanë mbyllur kufijtë, migrantët kalojnë lirshëm

Në pikë të ditës, një grup prej 10 personash, ecin nëpër autostradën Kumanovë-Tabanocë. Bëhet fjalë për emigrantë. Pasi i ndaluam, na rrëfyen se vinë nga Pakistani dhe në territorin tonë janë prej 7 ditësh. Ata thonë se gjatë gjithë kohës kanë ecur në këmbë dhe se kanë fjetur nëpër male. Kanë ikur nga lufta e Kashmirit në zonën e konfliktit ndërmjet Pakistanit dhe Indisë. Për kamerën tonë, ata tregojnë lëndimet që kanë marrë në Greqi.

“Nga Pakistani në Iran, pastaj nga Turqi në Greqi dhe tani nga Maqedoni. Kishim problem në Greqi, kështu që unë do vazhdoj tutje për Itali, mbase do gjejmë një të ardhme për jetë më të mirë.
Çfarë të ka ndodhur?
Në Greqi kishim një problem ku mora lëndime. Por në Pakistan, ju jeni gazetarë dhe e dini luftën për çështjen e Kashmirit. Ikëm prej problemeve, do shkojmë sa më larg dhe mbase do gjejmë një vend më të mirë”, u shpreh një emigrant.

Nga Greqia kanë hyrë para një jave ilegalisht, por nuk tregojnë se kush i ka ndihmuar. Destinacioni i tyre janë shtetet perëndimore. Nuk kanë parë policë dhe askush nuk i ka penguar gjatë rrugëtimit përskaj lumit, hekurudhës dhe autostradës. Këta burra të moshës së mesme thonë se ushqehen nëpër pikat e karburantit rreth autostradës. Kjo ka një kosto.

“2,500 euro për një pëson. Ka kosto të ndryshme, varësisht prej personave.
Kush ju ka transportuar këtu në Maqedoni?
Transport… vetëm me ecje!”, tha një tjetër emigrant.

Ky grup pakistanezësh thanë se grupe të tilla ka edhe pas tyre, që përshkojnë rutën drejtë Serbisë. Në Bosnjë thonë se i pret dikush që t’i dërgojë përmes Italisë në Francë ose Gjermani.

Deri sa në terren grupe të tilla që udhëtojnë drejt veriut vërehen çdo ditë, kryeministri Oliver Spasovski, një ditë më parë, deklaroi se kufijtë janë të mbyllur dhe nuk lejojnë hyrjen e asnjë emigranti, madje as për transit.

Tani më duket qartë se transitimi nuk është opsion dhe nuk mund të funksionoj ajo rutë. Vendimi ynë është të kemi zero tolerancë për hyrjen e emigrantëve. Ju e dini që kemi të shpallur gjendje krize, janë shtuar forcat policore dhe ushtarake në kufirin jugor – deklaroi Oliver Spasovski, Kryeministër teknik (07.03.2020).

Tetë ditë pas dyndjes së emigrantëve nga Lindja e Mesme në zonën neutrale ndërmjet kufirit të Turqisë dhe vendeve të BE-së, i gjithë rajoni ka mobilizuar vijat kufitare me polici dhe ushtri. Ndërkaq, Shqipëria ka strehuar 50 refugjatët e parë në një nga 6 qendrat e pritjes së jug të vendit. Mediat shqiptare thonë se autoritetet po përgatiten në strehimin e rreth 30 mijë refugjatëve të cilët kalojnë kufirin greko-turk. Sipas autoriteteve evropiane, nëse ka një valë të re të emigrantëve kufijtë e BE-së do të blindohen dhe emigrantët do të mbeten nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkaq, Greqia po përballet me krizën e emigrantëve në të gjitha frontet. Përveç fortifikimit të kufirit tokësor në Evros, më poroze është vija detare nëpërmjet ishullit Lesbos. Edhe Turqia, për arsye sigurie, ndaloi kalimet përmes Detit Egje, ndërkohë nuk lejon të kthehen mbrapa mijëra refugjatë. Këtu shënohen përplasje të reja të emigrantëve me policinë greke. Athina pretendon se ushtria turke i ka pajisur një grup emigrantësh me mjete ushtarake për t’u kundërpërgjigjur, pasi një numër granatash tymuese janë hedhur edhe drejt rojës kufitare greke. Nuk raportohet për humbje jete.

Desk
By Desk March 8, 2020 16:23