MASh-i në kontinuitet punon për avancimin e kushteve në shkolla që do të mundësonin arsimim sa më cilësor. Kështu vlerëson numri një i dikasterit të Arsimit, Jeton Shaqiri, i cili bën të ditur se periudha verore është shfrytëzuar për përfundimin e aktiviteteve ndërtimore në 40 shkolla në shumë komuna në mbarë vendin, ku dukshëm është përmirësuar infrastruktura ekzistuese.
“Duke filluar nga rregullimi i pjesës së brendshme të shkollave, rregullimi i korridoreve , rregullimi i hapësirave të klasave, sanimi i nyjeve sanitare, rregullimi ose ndryshimi i dyerve, varësisht cila nevojë ka qenë më e shpejtë për shkollat, është bërë dhe ky buxhet që është paraparë nga Banka Botërore ka qenë 60 milion denarë të parapara për 40 shkollat, të cilat janë nga zona të ndryshme.”, – deklaroi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.
Aktivitetet deri në realizimin e plotë të planit të investimeve do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm kalendarik, potencon Shaqiri, sipas të cilit do të ketë përfshirje të barabartë të shkollave nga të gjithë komunat në vend.
“Do të jenë mbi 20 institucione arsimore, kryesisht në shkollat me mësim në gjuhën shqipe, do t’i jepet prioritet secilës shkollë që ka nevojë dhe që ka kompletuar dokumentacionin dhe e ka dorëzuar pranë MASh-it dhe me anë të së cilës ministria ka bërë projektimin, sepse ajo bëhet nga njësia projektuese e Bankës Botërore.”, – theksoi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.
Sipas të dhënave të MASh-it, Banka Botërore do të ofrojë përkrahje edhe më tej për avancimin e kushteve për ndjekjen e mësimdhënies në 118 objekte shkollore.