“Ballkani i Hapur”, këshilltari i Kurtit e konsideron përpjekje për copëtim

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Nëntor, 2021 21:07

“Ballkani i Hapur”, këshilltari i Kurtit e konsideron përpjekje për copëtim

Përpjekje për copëtim të Ballkanit po e konsideron iniciativën e Ballkanit të Hapur, Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Në një shkrim në Twitter ai i është kundërpërgjigjur takimit të sotëm që patën krerët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në Beograd. Të enjten, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se Ballkani i Hapur është iniciativë në kuadër të Procesit të Berlinit, por që është marrë nën zotërim nga vetë shtetet për të bërë ato që nga Procesi i Berlinit mbetën vetëm deklarata. Teksa Serbia, Maqedonia e Shqipëria po e vlerësojnë marrëveshjen duke thënë se lehtëson qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, iniciativa është refuzuar që nga fillimi nga tri shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja. Si kundërpërgjigje për deklaratat e sotme dhe vazhdimin e iniciativës, Zulfaj e ka cilësuar iniciativën si përpjekje për të copëtuar Ballkanin.

“Ballkani i Hapur = Ballkani i Copëtuar. Tregu i Përbashkët Rajonal është platforma e vetme rajonale në kuadër të Procesit të Berlinit, e përkrahur dhe e bazuar në rregullat e BE-së, e përqafuar nga të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe të Procesit të Berlinit. Gjithçka jashtë Procesit të Berlinit dhe BE-së u shërben vetëm atyre që janë të interesuar në një Ballkan të copëtuar”, ka shkruar ai në Twitter.

Shqetësimet për përplasje e copëtime të Ballkanit janë shtuar kohëve të fundit, pas ngritjes së tensioneve në Bosnjë e Hercegovinë, në Mal të Zi, por edhe në Kosovë. Ditë më parë, Christian Schmidt, përfaqësues i lartë ndërkombëtar për Bosnje e Hercegovinë, në një raport për Kombet e Bashkuara u shpreh i shqetësuar se nga forcat serbe po nxitet konflikti e se lufta është mundësi reale.

Tensionet e fundit në Bosnje pasojnë ato në Kosovë, që për disa javë në veri pati tensione për shkak të vendosjes së reciprocitetit për targat e atyre në Mal të Zi ku pati përplasje për shkak të shugurimit të mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Nëntor, 2021 21:07