Banka Botërore: Rritja ekonomike e Maqedonisë së Veriut sivjet 4,6 %, inflacioni 2,4 %

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 21 Tetor, 2021 14:50

Banka Botërore: Rritja ekonomike e Maqedonisë së Veriut sivjet 4,6 %, inflacioni 2,4 %

Rritja e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut sivjet do të jetë 4,6 për qind, ndërsa inflacioni 2,4 për qind, me tendencë që të stabilizohet, tregon Raporti më i ri i Bankës Botërore.

Siç u tha në prezantimin e sotëm online edhe krahas rimëkëmbjes ekonomike ende ekzistojnë rreziqe, para së gjithash për shkak të ritmit të ngadaltë të vaksinimit në vend.

“Projeksioni për rritje është 4.6 për qind në vitin 2021, shumë më i lartë se parashikimet e pranverës. Këto pikëpamje pozitive mbeten të mbushura me rreziqe negative si rezultat i ritmit të ngadalshëm të imunizimit dhe zinxhirëve të furnizimit të ndërprerë, pasi kushtet e financimit fillojnë të forcohen”, tha drejtori i zyrës së Bankës Botërore në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë”, Masimiliano Paoluçi.

Sipas tij, ekonomitë e të gjitha vendeve në Ballkanin Perëndimor, përveç Malit të Zi, deri në fund të vitit do të kthehen në nivel para pandemisë.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor po rimëkëmbet pas recesionit në vitin 2020 i shkaktuar nga KOVID-19 falë rimëkëmbjes më të shpejtë se sa pritej në 2021. Perspektivat në rajon janë përmirësuar ndjeshëm, me rritjen e BPV-së të parashikuar të arrijë në 5.9 përqind në 2021, pas një rënie prej 3.1 përqind në vitin 2020. Në vitin 2022, rritja në rajon parashikohet të jetë 4.1 për qind, ndërsa në vitin 2023 pritet të jetë 3.8 për qind. Norma e varfërisë në rajon parashikohet të vazhdojë prirjen rënëse të nisur para pandemisë dhe të ulet me rreth 1 pikë përqindje në 20.3 për qind, afër nivelit të vitit 2019”, thuhet në Raport.

Duke treguar në rreziqet negative, Paoluçi theksoi se shkalla e vaksinimit në Ballkanin Perëndimor, e cila mbetet prapa vendeve të tjera evropiane, mund të shkaktojë kufizime të reja si rezultat i një valë të re KOVID. Nga ana tjetër, hapësira e ngushtë fiskale dhe nivelet e larta të borxhit vazhdojnë të dominojnë rajonin.

Në pajtim me Raportin që në mënyrë më të detajuar e prezantoi Sanja Maxhareviq-Shujster, ekonomiste e lartë për Ballkanin Perëndimor, rimëkëmbja në rajon është rezultat i kërkesës më të fortë të brendshme dhe të jashtme.

“Megjithatë, rimëkëmbja edhe më tej është e brishtë. Shenjat paralajmëruese të hershme që vijnë nga tregu i punës kërkojnë më shumë vëmendje. Humbjet e vendeve të punës nga recesioni dhe pasojat e tij kanë prekur në mënyrë disproporcionale gratë dhe të rinjtë, të cilat mund të minojnë përpjekjet e rajonit për të rritur normat afatgjata të ulëta të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore. Papunësia e të rinjve u rrit në 37.7 përqind në 2021, që është 5.4 pikë përqindje më shumë se në qershor 2020, gjë që përkeqësoi më tej perspektivat e punësimit të të rinjve”, analizon Banka Botërore.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 21 Tetor, 2021 14:50