Bankat shtyjnë pagesën e kësteve deri në shtator

Desk
By Desk May 4, 2020 20:20

Bankat shtyjnë pagesën e kësteve deri në shtator

Nga Shoqata e Bankave të Maqedonisë thonë se qytetarët që e kanë pranuar anulimin , që në muajt në vijim nëse dëshirojnë do të jenë në mundësi të vazhdojnë me pagesën e kredive, por edhe të shfrytëzojnë mundësinë të anulojnë pagesën e kësteve deri në shtator.

Dy të tretat apo 70 për qind e shfrytëzuesve të kredive nga ana e qytetarëve kanë anuluar kreditë e tyre. Njëherësh bankat nuk do të anulojnë kamatat përgjatë kësaj periudhe, por të njëjtat do të llogariten pasi konsumatorët në muajin tetor do të rifillojnë me pagesën e rregullt të kësteve të kredive. Nga ana tjetër, 30 për qind e qytetarëve do të vazhdojnë edhe më tej të paguajnë kreditë në periudhën prill- shtator të këtij viti.

Nga Shoqata e Bankave të Maqedonisë thonë se të gjitha anëtarët e saja ofrojnë mundësi për personat fizik apo për qytetarët që e kanë pranuar anulimin , që në muajt në vijim nëse dëshirojnë do të jenë në mundësi të vazhdojnë me pagesën e kredive, për tu përjashtuar nga kjo ofertë. Gjithashtu ato mund të shfrytëzojnë mundësinë edhe të anulojnë pagesën e kësteve deri në shtator. “Gjithashtu, bankat që janë anëtare të kësaj shoqate, do tu mundësojnë klientëve të tyre që tani e kanë refuzuar këtë ofertë, ndërsa në periudhën e ardhshme do të vlerësojnë se kanë nevojë për lehtësim të përkohshëm nga ngarkesa financiare , që në mënyrë shtesë ti bashkëngjiten ofertës dhe pagesës së kredisë që t’ju anulohet deri në përfundimin e grejs periudhës të parashikuar në ofertë”, thonë nga shoqata e bankave. Nga atje shtojnë se kërkesat për anulimin apo bashkëngjitjen ndaj ofertës në të ardhmen do të përpunohen në mënyrë individuale. Apo me fjalë të tjera, çdo klient që ka një kërkesë të tillë, do të duhet që përmes telefonit, apo përmes postës elektronike të kontaktojë bankën, që të merret vesh se si do të dorëzojë kërkesën duke mbrojtur shëndetin e tij. Në raport me personat fizik, apo me firmat, ofertat po harmonizohen me çdo klient ndaras në varësi prej nevojave të tij. Njëherësh bankat anëtare të shoqatës po përpiqen që në mënyrë maksimale të lehtësojnë punën e bizneseve , me qëllim që më lehtë të tejkalojnë vështirësitë të shkaktuara nga tronditjet e pandemisë.

Nga Banka Popullore e Maqedonisë thonë se këto anulime të pagesave për këtë periudhë nënkuptojnë edhe përkrahje indirekte për ekonominë e vendit. Nga atje shtojnë se sistemi bankar është stabil dhe i shëndoshë dhe ka bazë të fuqishme dhe kapacitet që tu bëjë ballë tronditjeve të ndryshme. Të dhënat e fundit të Bankës Popullore tregojnë se qytetarët janë në borxh ndaj bankave për kredi konsumatore në muajin mars me një shumë prej 93.440 milionë denarë apo afër 1.5 miliardë euro. Borxhi për kredi banesore është 52.959 milionë denarë apo afër 860 milionë euro, borxhi në kartelat kreditore është 11.724 milionë denarë apo afër 200 milionë euro e kështu me radhë. Statistika e Banës Popullore tregon më tej se qytetarët e kanë shumë të vështirë në mos edhe të pamundur që të kapërcejnë muajin apo të blejnë banesa dhe të rinovojnë hapësirat e tyre të banimit, po të mos ishin kreditë e llojeve të ndryshme të bankave. Këtë e dëshmojnë edhe rritja prej 59,413 milionë denarë e kredive konsumatore në muajin mars të vitit 2016 në 93.440 milionë denarë në mars të vitit 2020. Apo me fjalë të tjera kreditë konsumatore për katër vite, janë rritur nga afër një miliardë euro në një miliardë e gjysmë euro. Rritje të madhe shënojnë edhe kreditë e banesave prej 31.259 milionë denarë në muajin mars të vitit 2016 në 52.959 milionë denarë në muajin mars të vitit 2020.

Ulje në këtë periudhë katërvejçare shënojnë vetëm kreditë e automjeteve nga 379 milionë denarë në 306 milionë denarë, ndërsa borxhet e tjera të qytetarëve mbeten në nivele të përafërta. (koha.mk)

Desk
By Desk May 4, 2020 20:20