Banorët e Maqedonisë a do të shndërrohen në …

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 9, 2020 21:23

Banorët e Maqedonisë a do të shndërrohen në …


Mr. Hamdi Nuhiju

Komisioni për Sëmundje Infektive në Maqedoninë e Veriut pas rritjes së numrit e të infektuarve me Kovid 19 ka propozuar një sërë masash që duhet të ndërmerren për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Ajo që më së shumti ra në sy dhe u komentua më shumë nga ana e opinionit publik ishte vendimi që në shtëpitë private të njerëzve të mos ketë më shumë se 4 mysafir.

Kur Komisioni për Sëmundje Infektive propozon një masë në publik për kufizimin e lëvizjes së njerëzve, ose në restorante e kafiteri mund të duket e logjikshme për vet faktin e mënyrës praktike të realizimit të kontrollit të zbatimit të kësaj mase. Ajo që shkaktoi huti dhe frikë në opinion ishte mënyra se si do të zbatohet masa e kufizimit deri në katër mysafir në çdo shtëpi?!

Ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, i cili ishte ministër edhe në kohën kur u vandalizua mesxhidi në Kriva Pallankë për të cilën gjë ende nuk janë gjetur autorët, e thjeshtësoi, por edhe e turbulloi ende më shumë ujin me deklaratën e tij.

Ai tha: “Fillimisht nuk do të doja të komentoj diçka që ende nuk është miratuar nga Qeveria. Ky është vetëm propozim i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse. Do të them vetëm një gjë, se ministria për Punë të Brendshme do t’i respektojë parimet kushtetuese dhe ligjet. Pacenueshmëria e shtëpisë dhe apartamentit është diçka e shenjtë për qytetarët, askush nuk mund ta cenojë, por me vendimet që do të sillen, ndërsa janë në funksion të shëndetit publik, do të parashikohen me mekanizma adekuat për kontrollin dhe zbatimin e tyre” (Almakos, 09.10.2020)

Në deklaratën e tij të zgjeruar ai thjeshtësoi procedurën e zbatimit të kësaj mase nëse eventualisht miratohet nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke thënë se fqinjët duhet ta luajnë rrolin e bashkëpunëtorit të policisë duke e paraqitur rastin.

Nuk ka ndodhur deri më sot që Komisioni për Sëmundje Infektive të propozoje diçka e kjo gjë të mos miratohet nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Me këtë masë të propozuar nga ky Komision, frikësohem se Maqedonia e Veriut gjatë tentimit për të kaluar në një shtet ligjor, po kalon ngadalë në një shtet policor ku banorët e këtij vendi do të trajtohen si Ujgurët në Kinë, ku në çdo shtëpi ujgurësh ekziston nga një polic i shtetit që kontrollon prej dorës së parë familjet ujgure.

Me këtë masë e cila pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga formula policë të lagjes ngadalë do të kalojmë në formulën policë të shtëpisë, e për t`u rikthyer në kohën e errët të policëve të rajonit të cilët i torturonin banorët e lagjeve dhe komunave me shumicë shqiptare. Më të moshuarit në Kumanovë me rrethinë i kanë arritur ato kohë kur një policë ka kontrolluar komplet Komunën e Likovës duke i shkaktuar probleme jetësore familjeve të plota.

Është e habitshme se në rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive nuk u pa asnjë kërkesë ose formulë për zgjidhjen e rrëmujave që po krijohet para sporteleve të bankave, rrëmujë kjo e krijuar artificialisht nga falimentimi i Eurostandard Bankës.

Ekspertët e ekonomisë jashtë opinionit publik, në biseda private thuan se qeveria ka pasur mekanizma dhe mundësi që ta shtyj falimentimin e Eurostandard Bankës me qëllim që të mos krijoje rrëmuja para bankave tjera.

Qeveria e dikurshme e Nikolla Gruevskit pat ardhur në pushtet me gojën plotë ekonomi, zhvillim ekonomik, investime të huaja, investime në infrastrukturë, arsim etj. Shkuarja e saj në histori dëshmoi për gropat e thella ekonomike e të cilat për t`u mbushur nevojitet që të kalojnë gjenerata të tëra.

Pasardhësi i tij erdhi në pushtet me gojën plotë drejtësi për të gjithë, shtet për të gjithë, barazi-drejtësi, liri. Ndërsa në anën tjetër, Prokuroria Speciale Publike u shkatërrua, fajtori kryesor për robërimin e shtetit gjendet në Hungari, montuesit e ngjarjeve politike po dënohen minimalisht ose janë edhe afër ikjes së atij dënimi, ndërsa kontrolli dhe prezenca policore në lagje, në rrugë, tashmë edhe në shtëpi po rritet.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 9, 2020 21:23