Gjigandi katalunas Barcelona nuk është duke kaluar nëpër një formë të mirë këtë sezon, ku sot regjistroi barazim me rezultat 3:3 kundër skuadrës së Celta Vigos.
“Blaugranët” kishin epërsinë prej tre golave në këtë ndeshje nga pjesa e parë, por skuadra vendase arriti që në pjesë të dytë të shënojë tre gola.
Fillimisht, rezultatin e zhbllokoi sulmuesi Ansu Fati në minutën e 5’ të ndeshjes, kurse mesfushori Sergio Busquets shënon në minutën e 18’ për ta thelluar epërsinë në 2:0.
Golin e tretë për Barcelonën e shënoi sulmuesi holandez Memphis Depay, i cili përmes një asistimi të Jordi Albas, shënon në minutën e 34’ për 3:0.
Pjesën e dytë e nisi më mirë skuadra e Celta Vigos, ku edhe shënoi tre gola për t’ia mohuar Barcelonës pikët e plota.
Sulmuesi Iago Aspas shënon golin e parë për Celtan në minutën e 52’, kurse Nolito e ngushton rezultatin në 3:2 në minutën e 74’ të ndeshjes.
Golin e barazimit dhe të një pike të vlefshme për skuadrën e Celtas e shënoi përsëri Iago Aspas, i cili shënon në minutën e 90’+6 shtesë për rezultatin përfundimtar 3:3.
Me pikët e reja, skuadra e Celta Vigos zë vendin e 14 në tabelë me gjithsej 12 pikë, pesë sosh më pak se kundërshtari i sotëm Barcelona, e cila pozicionohet në vendin e nëntë.