Basha: Shqiptarët duan ndryshimin

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka August 7, 2019 20:42

Basha: Shqiptarët duan ndryshimin

Në takimin me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike në Shijak, kryetari Lulzim Basha tha se beteja e nisur nga opozita për zgjedhjet e lira e të ndershme, është një betejë për interesin e çdo qytetari shqiptar.

“Djegia e mandateve ktheu besimin e qytetarëve se kjo betejë nuk është një betejë si të tjerat, nuk është, siç përpiqet ta paraqesë Rama, një betejë mes partive politike. Jo! Kjo është betejë për t’i kthyer çdo shqiptari liritë, mundësinë, demokracinë. Kjo është një betejë në të cilën ne dorëzuam pushtet. Nuk shkuam për të marrë pushtet, por dorëzuam karriget, mandatet tona, imunitetin tonë, privilegjet tona për t’u rreshtuar krah për krah me qytetarët”, u shpreh Basha.

Kreu i opozitës nxori në pah faktin se këto 6 vjet, përballë opozitës ka qenë një kundërshtar i paprecedentë, një regjim kriminal, të cilit PD i është kundërvënë me një rezistencë të paprecedentë dhe me vendime politike të paprecedentë, që kanë rikthyer besimin e qytetarëve tek PD.

“Beteja jonë kundër oligarkisë, duke anuluar ligjet me emër oligarku, miratuar nga qeveria Rama dhe duke hetuar dhe anulluar çdo kontratë korruptive PPP-je, do të jenë masat e para që Partia Demokratike do të ndërmarrë që në ditët e para të qeverisjes”, siguroi Basha, i cili tregoi punësimin si prioritet absolut të PD.

Duke vënë në dukje gjetjen kryesore të raportit të ODIHR-it se 30 qershori ishte për interesin e qytetarët, kreu i opozitës tha se ky ishte një proces për Edi Ramën dhe një tufë hajdutësh, me të cilët ai plaçkit vendin./ATSH/

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka August 7, 2019 20:42