BDI kundër Zaevit, JO Mini Shengen pa Kosovën

Desk
By Desk December 17, 2019 19:57

BDI kundër Zaevit, JO Mini Shengen pa Kosovën

Ndryshe nga LSDM që është “pro” Mini Shengenit Ballkanik, në Bashkimin Demokratik për Integrim thonë se janë kundër bashkëpunimit të vetëm tre shteteve, ndërsa kërkojnë bashkëpunim të të gjitha shteteve të Ballkanit – konkretisht edhe përfshirjen e Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi.

Vazhdon debati “pro” dhe “kundër” Mini Shengenit midis Maqedonisë, Shqipërisë dhe Serbisë. Përkundër mbështetjes që kryeministri Zoran Zaev i ka dhënë nismës së presidentit serb dhe kryeministrit shqiptar, Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama, në koalicionin qeveritar në Maqedoni jo të gjithë partnerët mendojnë njësoj. Ndryshe nga LSDM që është “pro” Mini Shengenit Ballkanik, në Bashkimin Demokratik për Integrim thonë se janë kundër bashkëpunimit të vetëm tre shteteve, ndërsa kërkojnë bashkëpunim të të gjitha shteteve të Ballkanit – konkretisht edhe përfshirjen e Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi, shkruan gazeta KOHA.

“Mini Shengen vetëm me gjashtë shtete, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi, me gjashtë shtete”, ka thënë dje Artan Grupi, deputet i BDI-së. Në ndërkohë, edhe partitë tjera shqiptare janë kundër një bashkëpunimi vetëm të tri shteteve, ndërsa thonë se me Kosovën brenda, Mini Shengeni do të kishte kuptim.

Ndryshe, partitë politike të Kosovës ditë më parë janë bërë bashkë ndërsa i kanë kërkuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama që të anulojë Samitin e Durrësit mes tri shteteve, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë për themelimin e asaj që cilësohet si “Mini-Shengeni Ballkanik. Kjo thirrje nga Prishtina erdhi pas deklaratve të fundit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili mohoi Masakrën e Reçakut. “Është e rëndësishme që Serbia të ndëshkohet për veprimet ndaj Republikës së Kosovës, sepse po flasim për një Komb të njëjtë, që është kombi shqiptar dhe dy shtete që janë padrejtësisht të ndara, por që fatkeqësisht kanë pasur qasje ndryshe. Ne jemi kundër takimeve të tilla ku nuk përfshihet Kosova”, tha Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje.

“Mohimi kaq eklatant që po i bëhet gjenocidit të zhvilluar nga Serbia dhe veçanërisht Masakrës së Reçakut është jo vetëm i papranueshëm, por edhe i dënueshëm dhe në këtë kuadër mendoj se institucionet e Kosovës, por edhe institucione të tjera të rajonit dhe para së gjithash Shqipëria duhet ta trajtojnë shumë më seriozisht këtë qasje dhe të kenë një sjellje tjetër me Serbinë”, u shpreh Memli Krasniqi nga PDK. Ndërsa, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini kërkon reagim nga të gjitha vendet mike të Kosovës për mohimin e masakrës së Reçakut, teksa thotë se deklaratat e tilla duhet të ndërpresin çfarëdo bashkëpunimi mes shteteve.

Përpjekjet për formimin e një Mini-Shengeni Ballkanik nisën rreth dy muaj më parë në Novi Sad të Serbisë, ku tre liderët Aleksandër Vuçiç, Zoran Zaev dhe Edi Rama u dakorduan për një gjë të tillë. Ata fuqizuan idenë e tyre me një takim në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe pritet finalizimi i saj në Durrës më 21 dhjetor.

Ndryshe, Mini Shengeni Ballkanik parasheh udhëtimi të shtetasve të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë brenda territorit të tre vendeve vetëm me letërnjoftim, të huajt në shtetet anëtare të nismës të udhëtojnë pa viza shtesë, leje të përbashkëta të punës dhe njohja e kualifikimeve dhe diplomave, pa procedura shtesë, shkëmbimi të studentëve, 24-orë shërbime të inspektimit kufitar me fokus në inspektimin fitosanitar dhe veterinar… (koha.mk)

Desk
By Desk December 17, 2019 19:57