BDI: Rezoluta mbi jetesën cilësore

Desk
By Desk December 26, 2019 17:27

BDI: Rezoluta mbi jetesën cilësore

R E Z O L U T A Nr. 3 

Jetesë cilësore

Delegatët e Kongresit të katërt zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim konstatojnë që pas realizimit të përpjekjeve për liri, drejtësi dhe barazi nëpërmjet të miratimit dhe zbatimit të pjesëve normative të Marrëveshjes së Ohrit dhe të arriturave në dy dekadat e kaluara si dhe trasimit të pakthyeshëm të përcaktimeve të integrimit dhe konsensualitetit, nevojitet fokus i tërësishëm në politikat zhvillimore dhe të mirëqenies individuale dhe familjare duke u përqëndruar në cilësinë e jetesës për t’i adresuar pabarazitë dhe për të siguruar standarde cilësore të jetesës për të gjithë.

Ky synim ndikohet nga një numër përcaktuesish politik, social, ekonomik dhe mjedisor, siç janë: integrimi i brendshëm konsensual, rajonal, evropian dhe Euro-Atlantik, barazia e qytetarëve  para ligjit, gjykimi i drejtë, transparenca dhe vetingu, arsimi cilësor, mjedisi i pastërt, shëndeti fizik dhe mendor, liria e siguria, stabiliteti ekonomik dhe finansiar i individit, të ardhura dinjitoze në paga dhe pensione, të drejtat njerëzore si themele të një jetese cilësore.

Ky kongres riafirmon besimin se vëmendja e qeverisjes duhet të jetë në politikat që gjenerojnë më shumë vite për jetën dhe më shumë cilësi viteve të jetës, dhe shpreh vullnetin dhe angazhimin e plotë për zhvillimin e një qasjeje të integruar dhe të mirëkoordinuar ndërsektoriale në funksion të një jetesë më cilësore.

Rrjedhimisht, delegatët e Kongresit të katërt të Bashkimit Demokratik për Integrim porosisin organet partiake që arsimi cilësor është prioritet absolut dhe faktor kyç i një jetese cilësore, si dhe nënvizojnë se arsimi cilësor mundëson jetesë cilësore, dhe shprehin vullnet dhe mbështetje për të ecur në rrugën e ngritjes së menjëhershme të cilësisë së arsimit inkluziv si barazi sociale, arsimit profesional si patjetësueshmëri për t’u përputhur me tregun ekzistues dhe arsimit të dedikuar për t’u përputhur me kushtet e tregut të së nesërmes. Edukim parashkollor për çdo fëmijë me qëllim që ato të jenë të barabartë në vijimin shkollimit të tyre.

Së këndejmi, ndarja e politikës nga arsimi, krijimi i mjedisit gjithëpërfshirës për mësim, klasa dhe shkolla që pranojnë dallimet dhe ku nxënësit mësojnë bashkë, ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm për mësim dhe trajnim profesional, programe të reja moderne mësimore, investor në shkencë dhe inovacion, si dhe mësues e profesorë të kënaqur me rritje permanente të rrogave duke e nisur me rritjen mbi 21% nga janari i vitit të ardhshëm janë themelet e qasjes vijuese të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Gjithashtu, Delegatët e Kongresit të katërt zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim angazhohen për ndërtimin e politikave që synojnë rrumbullakësimin e infrastrukturës shoqërore dhe përafrimin e standardeve jetësore me ato të vendeve të Bashkimit Evropian për të mundësuar jetesë me më pak ngarkesë (stres), që do të ndikojë në shëndetin mendor inidivudal dhe shoqëror, do të mundësojë kushte më të mira sociale për ndërtimin e familjes dhe kohën e kaluar me familjen si dhe përfundimisht do të përafron cilësinë dhe jetëgjatësinë e qytetarëve tanë me ato të vendeve të perendimit.

Shëndeti në përgjithësi është ndërlidhur me mirëqenien emotive, shoqërore dhe psikologjike, andaj politikat tona do të përqëndrohen në përmirësimin e shëndetit fizik dhe mendor të individëve dhe të shoqërisë në përgjithësi nëpërmjet të promovimit të mirëqenies, jetesës cilësore, parandalimit të c’rregullimeve, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe kujdesin ndaj njerëzve dhe familjeve.

Shëndeti i qytetarëve dhe shërbimi cilësor shëndetësor është i patjetërsueshëm, prandaj dhe angazhohemi për një sistem funksional shëndetësor në harmoni me punonjës shëndetësor të motivuar dhe të trajnuar, me infrastrukturë të mirëmbajtur dhe të furnizuar me teknologji dhe ilaçe të besueshme dhe moderne, të përkrahura me buxhet adekuat, planifikim të fuqishëm shëndetësor dhe politika të praktikës së konfirmuar. Avancim të sistemit të sigurimit shëndetësor të plotësuar me komponentën e sigurimit shëndetësor vullnetar (krahas sigurimit të detyrueshëm) me qëllim të zgjërimit të gamës të shërbimeve shëndetësore dhe ngritjes së cilësisë të shërbimeve shëndetësore.

Kongresi gjithashtu thekson përparësinë dhe përkushtimin absolut të përpjekjeve për të garantuar një mjedis të shëndosh për qytetarët dhe shoqërinë në përgjithësi sepse e drejta për ajër dhe ambient të pastërt është e drejtë njerëzore.

Delegatët e Kongresit të katërt të Bashkimit Demokratik për Integrim,  konsiderojnë që mbrojtja e mjedisit jetësor dhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i tij paraqet një detyrë të përbashkët për të gjithë, insitucionet qendrore e lokale, qytetarët, organizatat joqeveritare, si dhe veprimtarët ekonomik, por njëkohësisht, nxisin institucionet kompetente që të përshpejtojnë proektin e gasifikimit, por edhe nxitjen e përdorimit të energjisë solare, hidro dhe natyrore si dhe prioritetizimin e ecjes, ciklizmit, transportit publik dhe subvencionimin e veturave elektrike, por edhe kontrolle të rrepta në djegien e elementeve ndotëse në ambiente publike dhe private si dhe krijimin e hapësirave të gjelbërta në qytete për t’a ndihmuar largimin e disa ndotësve. Synojmë zero emision të karbonit.

Kongresi përcakton objektivin e ndërtimit të administratës efikase dhe në shërbim të plotë të qytetarit nëpërmjet të forcimit të stabilitetit dhe parashikueshmërisë së institucioneve të cilat duhet të jenë mjaftueshëm fleksibile për t’u përputhur me sfidat shoqërore, të hapura për qytetarët, të gatshme për të përqafuar mënyra moderne të veprimit dhe të mundësojnë shërbime më të mira.

Duke qenë të përputhshëm me të sotmen dhe të përgaditur për të nesërmen si dhe të vetëdishëm që teknologjia informative, qeverisja dhe normat shoqërore ndikojnë cilësinë e jetesës, Delegatët e Kongresit të katërt të BDI-së, konsiderojnë që proektimi i E-shtetit për një E-shoqëri nëpërmjet të dixhitalizimit të të gjitha shërbimeve bazë është patjetërsueshmëri dhe nevojë e kohës.

Rrumbullakësimi i infrastrukturës kulturore dhe arsimore si dhe shpërblimi i merituar janë parakushte për zhvillimin e artit dhe nxitjen e kreativitetit të artistëve, ndërsa mbështetja institucionale e përcaktuar në këtë Kongres nuk do të mungojë.

Përkujdesja për barazi sociale, familjet në nevojë, mbështetja e vazhdueshme finasiare për fëmijën e tretë dhe rastet sociale, rritja dhe garantimi i pensioneve, përkujdesja cilësore në çerdhe moderne, përfshirja dhe ndarja meritore e ndihmesës sociale janë synime tona programore.

Vetqeverisja lokale, si detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit, vijon të mbetet prioritet i joni në drejtim të krijimit të njësive lokale më të fuqishme ekonomike, me orientim zhvillimor dhe inkluziv të vetëqeverisjes lokale drejt fuqizimit dhe aftëzimit të komunave që të sigurojnë një rritje dhe zhvillim gjithëpërfshirës, inovativ dhe të qëndrueshëm lokal në rajonin në të cilin veprojnë.

Në vijë me përcaktimet tona, Kongresi nënvizon rëndësinë e shanseve dhe mundësive të barabarta dhe angazhohet për përfaqësim të rritur, të drejtë dhe adekuat gjinor dhe moshor si parim esencial për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe drejtësisë sociale të vërtetë për të gjithë.

Gjithashtu, Kongresi angazhohet për tejkalim të asimetrisë perceptive gjinore, që përveç diskriminimit në shanse dhe mundësi, rezulton edhe në dhunë fizike, verbale ose psikologjike, por edhe në abuzim. Padrejtësitë gjinore në barazinë e të ardhurave si dhe baraspeshës midis punës dhe jetës zgjidhen me politika që mundësojnë balancin midis punës dhe jetës familjare për të tejkaluar padrejtësitë gjinore.

Për të siguruar integritetin individual dhe kolektiv në kohë të vërshimit të pakontrolluar dhe të qëllimshëm të propagandës, shpifjeve dhe lajmeve të rreme, Kongresi riafirmon vendimin e Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim për veting, por edhe për transparencë dhe hetim të plotë institucional të të gjithë funksionerëve.

Përfundimisht, Kongresi i katërt zgjedhor i Bashkimit Demokratik për Integrim i inkorporon variablat e paracaktuara nga Kombet e Bashkuara për të përkrahur mirëqenien individuale dhe shoqërore siç janë: të ardhurat, jetëgjatësia e shëndetshme, mbështetja sociale, liria, besimi dhe zemërgjërësia, si dhe percepcioni i korupcionit dhe cilësia e institucioneve si udhërrëfim për prioritetet tona programore.

Desk
By Desk December 26, 2019 17:27