BE, e shqetësuar nga shtimi i kontrolleve

BE, e shqetësuar nga shtimi i kontrolleve

Policia austriake njoftoi të martën nisjen e punimeve për ndërtimin e një zone kontrolli në kufi me Italinë, më saktësisht në kalimin e Brennerit në Alpe. Planet kanë shqetësuar Bashkimin Europian.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e KE-së, Natasha Bertaud pohoi se, nëse ato do të materializoheshin, do t’i shqyrtonin me shumë seriozitet.

“Kalimi i Brennerit është mjaft i rëndësishëm për lirinë e lëvizjes brenda Bashkimit Europian”, tha ajo, duke shtuar se, komisioneri i BE-së për Emigracionin, Dimitris Avramopoulos do t’ia parashtronte problemin ministres së Brendshme austriake, Johanna Mikl-Leitner.

Austria, e cila mori rreth 90 mijë kërkesa për azil vitin e kaluar, po ndjek një linjë të ashpër kundrejt refugjatëve, me Vjenën që ka përforcuar kontrollet përgjatë kufijeve me Slloveninë dhe Hungarinë. Në një letër për Avramopoulos, ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni, dhe ai i Brendshëm, Angelino Alfano, kërkuan që komisioneri të vinte në dyshim masat e reja të kontrollit të aplikuara nga Vjena.

Minsitrat italianë pretendojnë se, veprimet e Austrisë nuk duket se bazohen në fakte dhe se, Mikl-Leitner nuk ka paraqitur të dhëna që të tregojnë rritje të vërshimit të emigranteve nga Italia.

Shqetësimet në rritje për kontrollet në kufijtë austriakë vijnë teksa BE lajmëroi se i kishte dhënë ultimatum Greqisë, që deri më 26 prill të përmirësojë kontrollet në kufijtë e saj të jashtëm. Nëse Athina do të dështojë, rrezikon të përjashtohet nga hapësira “Schengen”, e kërcënuar nga kriza më e rëndë e refugjatëve që prej Luftës së Dytë Botërore.

Pavarësisht rënies së ndjeshme të numrit të refugjatëve që hyjnë në Europë, sidomos pas mbylljes së itinerarit ballkanik, Roja Bregdetare italiane raportoi të martën se rreth 4.000 emigrantë ishin shpëtuar gjatë dy ditëve të fundit në ngushticën e Siçilisë, mes Tunizisë dhe Italisë. Një anije nga agjencia e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të BE-së, “FRONTEX”, dhe një anije greke mallrash ndihmuan forcat e Marinës italiane të shpëtonin pasagjerët, që po udhëtonin në 16 gomone dhe një varkë me rrema.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 14, 2016 07:27

REKLAMA