BE nuk heq dorë nga fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut deri në fund të vitit

Desk
By Desk November 17, 2020 20:17

BE nuk heq dorë nga fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut deri në fund të vitit

Ministri gjerman për Evropën dhe kryesues i takimit të sotëm ministror të BE-së Mihail Rot, pas bllokimit të sotëm të kornizës negociuese për vendin nga Bullgaria tha se BE-ja nuk heq dorë për të ndihmuar në zgjidhjen e kontestit midis Shkupit dhe Sofjes dhe të miratojnë kornizën negociuese deri në fund të këtij viti, informon korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Pas takimit tetë orësh, kryesisht kushtuar buxhetit të BE-së, ministrat, siç pritej, nuk arritën të tejkalojnë bllokadën bullgare në negociatat me Maqedoninë e Veriut, konfirmoi Rot sonte. “Bullgaria u përqendrua në një pikë që e konsideron të rëndësishme”, tha Rot.

“Javën e kaluar presidenca u përpoq t’i afronte qëndrimet, por nuk arritëm t’i bindim që të bien dakord me kornizën negociuese. Në ditët ose javët e ardhshme sigurisht që do të përpiqemi ta dërgojmë këtë sinjal të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor, kjo do të varet nga vullneti i të dy palëve për t’u harmonizuar, nuk është gjithçka në duart tona”, tha Rot.

Ai shprehi kënaqësinë që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut vazhdojnë të negociojnë.

I pyetur se cila është saktësisht “pengesa” për Sofjen, ministri gjerman konfirmoi se bëhet fjalë për formën e shkurtër të emrit (Maqedonia e Veriut) dhe referencën për gjuhën maqedonase. Përveç kësaj, tha ai, ka çështje të tjera dypalëshe.

“Korniza negociuese pasqyron Marrëveshjen e Prespës dhe elemente të rëndësishme të Marrëveshjes së miqësisë, tani ka çështje të hapura nga Bullgaria, pikëpamjet që duhet të sqarohen, është e nevojshme të keni qartësi në nivelin e BE-së, disa linja duhet të tërhiqen, sepse korniza duhet të pranohet edhe nga 27 vendet anëtare dhe nga vendet që negocion”, sqaroi Mihail Rot.

Ai më tej refuzoi të paragjykonte se çfarë do të ndodhë në javët e ardhshme, por theksoi se ka ende kohë deri në fund të presidencës gjermane, pra deri më 31 dhjetor.

“Tani është mesi i nëntorit, viti mbaron më 31 dhjetor dhe të gjithë duam të kemi Krishtlindje të mira kështu që disa gjëra duhet të sqarohen”, tha Rot, duke u bërë thirrje të dy palëve për guxim dhe vullnet të mirë si diçka për të cilën ka nevojë edhe BE-ja edhe Ballkanin Perëndimor.

Për Gjermaninë si kryesuese, tha ministri Rot, është me rëndësi të jemi në ndihmë për gjetjen e zgjidhjes së arsyeshme.

“Duam ta pastrojmë rrugën sa është e mundur më shumë, që të mbahet Konferenca e parë ndërqeveritare”, tha Rot.

Zëvendëskryetari i Komisionit Evropian Marosh Shefçoviç, gjithashtu konfirmoi se BE-ja nuk heq dorë nga zgjidhja deri në fund të këtij viti.

“Mendojmë se jemi në vijën e fundit për të dy kornizat negociuese (me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut) dhe duke i vendosur proceset në bazë të fortë, është e rëndësishme të dyfishojmë përpjekjet tona për të zgjidhur kontestet dhe për të gjetur marrëveshje për kornizën e negociatave, duam që Konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Shefçoviç.

Sa i përket Shqipërisë, Rot thekson se mbeten dy kushte kryesore për miratimin e kornizës me këtë vend, përkatësisht Kodi Zgjedhor dhe ekipimi i Gjykatës Supreme, i cili u gjet i zbrazët nga gjyqtarët pas procesit të vetingut.

“Shqipëria është vend i vogël dhe do të duhet kohë dhe në një vend të polarizuar si Shqipëria ka konflikte politike, është e vështirë të arrihet konsensus”, tha Rot, duke potencuar nevojën për më shumë gjykime, prokurorë dhe aktvendime.

Desk
By Desk November 17, 2020 20:17