Benzema shënoi golin e 1000 për Realin në Champions
Karim Benzema ka shkruar historinë te skuadra e Real Madridit, kundër Shakhtar Donetsk, teksa u bë lojtari që shënoi golin e 1.000-të për “klubin mbretëror” në Ligën e Kampionëve.
Reali u bë klubi i parë europian që arriti numrin e famshëm të 1.000 golave në kompeticionin më elitar europian, por pas golit fillestar në pjesën e parë, francezi ishte shënuesi i golit të 1001-të për Realin në Ligën e Kampionëve, i cili në fakt ishte vendimtar, për fitoren ndaj Shakhtarit.
“Ishte vërtet një ndeshje e vështirë kundër një ekipi të mirë. Shakhtar performoi shumë mirë. Por ne dinim të vuanim si ekip dhe fituam në fund si ekip. Nuk luajtëm aq mirë sa në ndeshjen e parë me ta, por në fund fituam. Kemi edhe lodhje të akumuluar, luajmë çdo tre ditë. Nuk luajtëm mirë sot, por më e rëndësishmja është që fituam. Nuk mund të luash mirë çdo ditë.
Bilbili nga tifozët? Për mua, kjo nuk është e çuditshme në Bernabeu. Është normale për mua që tifozët duan që ne të luajmë mirë, të sulmojmë gjatë gjithë kohës dhe të shënojmë gola.
Ne gjithmonë përpiqemi ta bëjmë këtë, por sot nuk luajtëm më së miri dhe rivali ishte shumë i mirë”, përfundoi Benzema.